Studentët e UBT-së diskutojnë për reformën në drejtësi dhe krimin e organizuar me Ambasadorin e Finlandës

15/05/2025

UBT, vazhdon të jetë një platformë ku dijet ndërkombëtare ndërthuren me aftësitë e studentëve për t’u përballur me sfidat e kohës. Në kuadër të serisë së ligjëratave bashkëpunuese ndërmjet UBT-së dhe Ambasadës së Finlandës në Kosovë, kampusin e UBT-së e vizitoi Ambasadori finlandez, Matti Nissinen, i cili u prit me interes të madh nga studentët dhe stafi akademik i Departamentit të Shkencave Politike dhe Studimeve të Sigurisë.

Këtë herë, aktiviteti u përqendrua në prezantimet e përgatitura nga vetë studentët, të cilët trajtuan dy tema kyçe për të ardhmen e vendit dhe integrimin evropian: reformën në sistemin gjyqësor në Kosovë dhe luftën e Bashkimit Evropian kundër krimit të organizuar.

Prezantimet ishin të thelluara, me analiza të bazuara në hulumtim shkencor dhe praktikë krahasimore, duke ngjallur diskutime të frytshme mbi sfidat dhe mundësitë për përmirësimin e sistemit gjyqësor në Kosovë. Gjithashtu, u theksuan mekanizmat përmes të cilëve BE-ja dhe Kosova mund të bashkëpunojnë më ngushtë në luftimin e krimit të organizuar në rajon.

Studentët e UBT-së demonstruan nivel të lartë të përgatitjes, të mendimit kritik dhe të angazhimit qytetar, duke ngritur pyetje të rëndësishme dhe duke ofruar ide kreative për zgjidhje konkrete. Ambasadori Nissinen vlerësoi lart pjesëmarrjen aktive të studentëve dhe vizionin e tyre për çështjet që ndikojnë drejtpërdrejt në sundimin e ligjit dhe sigurinë në Kosovë dhe më gjerë.

Aktiviteti dëshmon edhe një herë rolin aktiv që UBT ka në formimin e liderëve të së ardhmes në fushat e politikës, sigurisë dhe diplomacisë, duke u krijuar studentëve mundësi të drejtpërdrejta për të bashkëbiseduar me përfaqësues diplomatikë dhe për të marrë pjesë në diskutime me rëndësi kombëtare e ndërkombëtare.