UBT përkrah Edicionin e 15-të të Chopin Piano Fest Prishtina

14/05/2025

UBT, si institucion i përkushtuar për avancimin e kulturës dhe artit në vend, ka kënaqësinë të jetë pjesë mbështetëse e Chopin Piano Fest Prishtina, një festival që është tashmë një traditë e konsoliduar kulturore për Kosovën.

Në kuadër të kësaj, do të mbahet një koncert që sjell në skenën kosovare dy nga emrat më të njohur të muzikës klasike në Evropë dhe më gjerë: violinistin e famshëm austriak Benjamin Schmid dhe pianistin virtuoz Marcus Schirmer.

Benjamin Schmid, që nga debutimi i tij si partner solo i legjendarit Sir Yehudi Menuhin në Festivalin e Salzburgut në vitin 1986, ka zhvilluar një karrierë të jashtëzakonshme ndërkombëtare me mbi 3000 performanca live. Ai është fitues i Konkursit Carl Flesch në Londër dhe një nga figurat qendrore të violinës moderne, duke interpretuar me violinën legjendare “ex-Viotti 1718” Stradivarius.

Marcus Schirmer, i njohur për stilin e tij të fuqishëm dhe emocional, është lavdëruar për mënyrën e veçantë me të cilën ndërton histori përmes pianos. Me një karrierë të pasur koncertesh dhe mësimdhënieje, ai është një prej figurave kyçe të jetës muzikore në Austri dhe më gjerë.

Koncerti është pjesë e edicionit të 15-të të Chopin Fest, një festival që reflekton hapjen kulturore të vendit tonë, pasionin për muzikën dhe përkushtimin për cilësi. Këtë vit, në festival janë bashkuar artistë nga vende të ndryshme të botës, sikurse: Polonia, Franca, Hungaria, Ukraina, Austria, Italia, Mbretëria e Bashkuar, Lituania, Kuba dhe Suedia.

Koncerti do të mbahet të mërkurën, më 14 maj, në ora 20:00, në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Qendrore Universitare të Prishtinës dhe realizohet në bashkëpunim edhe me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ambasadën Austriake në Prishtinë dhe Meditech.

UBT fton të gjithë artdashësit që të bëhen pjesë e këtij koncerti dhe të përjetojnë nga afër mjeshtërinë muzikore të dy artistëve të mëdhenj.