
UBT, themel i ëndrrës profesionale të studentit Guri Berishës
08/05/2025Rrugëtimi profesional i Guri Berishës është një shembull frymëzues i suksesit që ndërtohet mbi baza të forta akademike, përkushtim dhe pasion për arkitekturën. Ai e ka nisur këtë rrugëtim në UBT, ku ka përfunduar me sukses studimet në nivelin Bachelor dhe Master në programin e Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor.
Gjatë kësaj periudhe, Guri ka qenë pjesë e dy mobiliteteve akademike në Gjermani, duke përfituar nga mundësitë që ofron UBT për ndërkombëtarizim dhe shkëmbim përvojash. Ai ka studiuar në Dessau Institute of Architecture (DIA), pranë Anhalt University në kampusin historik të Bauhaus-it, si dhe në Technical University of Applied Sciences Lübeck, ku ka pasuruar njohuritë dhe përvojën e tij profesionale në ambient ndërkombëtar.
Përveç angazhimit akademik, Guri ka marrë pjesë në punëtori vendore dhe ndërkombëtare që ndërthurin artin me arkitekturën, duke e zhvilluar më tej qasjen e tij kreative dhe profesionale në këtë fushë.
Tash e tri vite, ai është pjesë e stafit akademik në UBT si asistent në lëndën “Fizika e Ndërtesave dhe Banimi”, duke kontribuar drejtpërdrejt në përgatitjen e gjeneratave të reja të arkitektëve dhe duke ndarë përvojën e tij me studentët.
Së fundmi, Guri ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm në karrierën e tij duke themeluar studion e tij arkitektonike ruur architecture, një projekt që pasqyron vizionin dhe përkushtimin e tij ndaj arkitekturës bashkëkohore.
Ai e konsideron UBT-në si themelin e zhvillimit të tij profesional dhe trampolinën që i ka hapur dyert drejt mundësive ndërkombëtare – një rrugëtim që vazhdon me pasion dhe përkushtim të pandalshëm.
Guri Berisha është dëshmi konkrete se me vizion të qartë, punë të palodhshme dhe mbështetje institucionale, ëndrrat arkitektonike mund të bëhen realitet.