Delegacioni i Fakultetit të Biznesit të UAMD viziton Parkun Shkencor të UBT-së

05/05/2025

Në kuadër të bashkëpunimit ndëruniversitar, një delegacion nga Fakulteti i Biznesit i Universitetit “Aleksandër Moisiu”, Durrës (UAMD), realizoi një vizitë zyrtare në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së, në Lipjan. Kjo vizitë përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt thellimit të marrëdhënieve institucionale mes dy universiteteve.

Gjatë takimit u diskutua gjerësisht për bashkëpunimin në kuadër të projektit ndërkombëtar mbi Ekonominë Qarkulluese, i cili është pjesë e programit Erasmus+. Palët ndanë përvojat dhe synimet e përbashkëta për të kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe përfshirjen aktive të studentëve dhe stafit akademik në projekte kërkimore me ndikim praktik.

Përveç këtij projekti, u shqyrtuan edhe mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit në fusha të tjera akademike, përfshirë zhvillimin e programeve të përbashkëta studimore në nivelin Master dhe Doktoratë. Të dy universitetet shprehën vullnetin e plotë për të punuar së bashku në dizajnimin dhe implementimin e këtyre programeve, me qëllim rritjen e cilësisë së arsimit të lartë në të dy vendet.