UBT dhe Qendra “Ri-Jeta” diskutojnë mundësitë për aftësim profesional të studentëve të Psikologjisë

18/04/2025

Në një atmosferë frymëzuese bashkëpunimi dhe përkushtimi ndaj zhvillimit profesional të të rinjve, përfaqësueset nga Qendra “Ri-Jeta” u mirëpriten nga Departamenti i Psikologjisë në UBT.

Takimi u zhvillua në prani të studentëve të psikologjisë, të cilët shfaqën një interes të lartë për avancimin e tyre profesional, duke dëshmuar përkushtimin dhe motivimin që i karakterizon si psikologë të ardhshëm.

Gjatë këtij takimi, psikologia dhe trajnerja, Naile Elezi, prezantoi mundësitë që Qendra “Ri-Jeta” ofron për aftësim profesional përmes trajnimeve të avancuara ndërkombëtare, të cilat pritet të realizohen në ambientet e qendrës. Këto trajnime synojnë të pajisin studentët me njohuri dhe aftësi bashkëkohore që do t’i ndihmojnë të jenë sa më të përgatitur për sfidat e profesionit.