
UBT International Smart Schools shënoi 7 Marsin dhe Ditën e Shkollës me një program festiv
07/03/2025UBT International Smart Schools organizoi një aktivitet festiv për nder të 7 Marsit – Ditës së Mësuesit dhe Ditës së Shkollës, një ngjarje e veçantë që mblodhi së bashku nxënës, prindër, mësimdhënës, përfaqësues të stafit akademik të UBT-së dhe mysafirë të shumtë.
Ky aktivitet shërbeu si një moment reflektimi mbi rolin e mësuesve në shoqëri dhe mbi misionin e tyre fisnik në edukimin dhe formimin e brezave të rinj. Përmes një mesazhi, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, theksoi rëndësinë historike të shkollës së parë shqipe dhe sakrificat e mësimdhënësve ndër shekuj. Ai vlerësoi kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në zhvillimin arsimor dhe shoqëror, duke nënvizuar rolin e pazëvendësueshëm të mësuesve, pavarësisht ndryshimeve të mëdha teknologjike.
Në vijim të aktivitetit, Drejtoresha e shkollave të UBT-së, Hajrije Devetaku Gojani, theksoi rëndësinë e veçantë të 7 Marsit për institucionin, duke kujtuar se përvjetori i shkollës së parë shqipe përkon me themelimin e UBT International Smart Schools.
“UBT International Smart Schools janë pjesë e një vizioni të gjerë arsimor, që synon të ofrojë edukim cilësor dhe të avancuar për nxënësit tanë. Duke u bazuar në përvojat më të mira ndërkombëtare dhe duke e përshtatur mësimdhënien me kërkesat e kohës, ne po krijojmë një gjeneratë të re të përgatitur për sfidat globale”, tha ajo. Gjithashtu, Drejtoresha Devetaku Gojani vlerësoi punën dhe përkushtimin e mësimdhënësve, duke shprehur mirënjohje për rolin e tyre në formimin e nxënësve dhe në arritjen e rezultateve të krahasueshme në nivel ndërkombëtar.
Në fjalën e tij, Prorektori i UBT-së, Prof. Dr. Visar Hoxha, vlerësoi rolin e pazëvendësueshëm të mësuesve në formësimin e individëve dhe të shoqërisë.
“Roli i mësuesit është më shumë sesa mësimdhënie – është mision, përgjegjësi dhe angazhim për të krijuar një shoqëri të ndritur dhe të ditur. Secili prej nesh ka në kujtesën e vet një mësues që e ka frymëzuar, e ka mbështetur dhe e ka motivuar për të arritur më shumë. Prandaj, sot është dita të shprehim falënderimin tonë më të sinqertë për të gjithë ata që me përkushtim i shërbejnë edukimit dhe formimit të brezave të rinj. Në veçanti, dua të përgëzoj dhe të falënderoj mësuesit dhe stafin e UBT International Smart Schools, të cilët janë shembulli më i mirë i edukimit cilësor dhe inovativ në Kosovë dhe më gjerë. Përkushtimi juaj, bashkëpunimi me prindërit dhe përdorimi i metodave bashkëkohore e bëjnë shkollën tonë një model të ekselencës në arsim,” tha Profesori Hoxha.
Për të përmbyllur këtë ngjarje të rëndësishme, nxënësit e UBT International Smart Schools prezantuan një program të pasur kulturor dhe artistik, duke e bërë këtë ditë edhe më të veçantë. Me këngë, poezi dhe shfaqje teatrale, ata përcollën mesazhe të fuqishme mbi rëndësinë e arsimit dhe rolin e mësuesve në ndërtimin e një të ardhmeje më të ndritur.