Rektori Hajrizi: Epopeja e UÇK-së, reflektim i thellë për dashurinë ndaj atdheut

07/03/2025

Me rastin e 27-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, ka vlerësuar lartë sakrificën sublime të familjes Jashari dhe rëndësinë historike të këtyre ditëve për kombin shqiptar. Ai ka theksuar se 5, 6 dhe 7 Marsi janë data që na bëjnë të ndalemi dhe të reflektojmë mbi vlerat e lirisë, guximit dhe përkushtimit ndaj atdheut.

“Historia jonë kombëtare është shkruar me gjakun dhe sakrificën e heronjve që dhanë gjithçka për lirinë. Familja Jashari, me në krye Ademin dhe Hamzën, flijoi gjithçka për të drejtën tonë për të jetuar të lirë. Ata janë shembulli më i lartë i qëndresës dhe vendosmërisë, një testament i gjallë i sakrificës që duhet të mbetet i rrënjosur në ndërgjegjen tonë kombëtare. Këto ditë na kujtojnë jo vetëm të kaluarën tonë heroike, por edhe përgjegjësinë tonë për ta çuar përpara idealin e lirisë dhe zhvillimit të Kosovës”, ka deklaruar Rektori Hajrizi.

Epopeja e UÇK-së shënoi një kthesë të madhe në historinë tonë, duke i dhënë hov të pandalshëm kryengritjes së armatosur dhe përpjekjeve për çlirim. Në ato ditë të lavdishme, populli shqiptar u bashkua më shumë se kurrë, duke dëshmuar solidaritet të pashoq brenda dhe jashtë kufijve. Njëkohësisht, bota e civilizuar dhe diplomacia ndërkombëtare u vetëdijësuan për padrejtësitë që po ndodhnin në Kosovë.