Vlerësohet lartë modeli UBT 5S në Kongresin e 61-të Botëror të Planifikimit Urban të organizuar nga ISOCARP

12/11/2025

Në kuadër të Kongresit të 61-të Botëror të Planifikimit Urban (ISOCARP 2025), Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, ka prezantuar online modelin inovativ të qytetit të mençur UBT 5S. Në këtë prezantim autor ishte edhe Drejtori i Institutit për Studime Urbane, Shqiprim Ahmeti. Ky model inovativ vendos Kosovën në qendër të modeleve ndërkombëtare për planifikimin urban dhe integrimin e teknologjisë në qytetet e së ardhmes.

Këtë vit, kongresi po mbahet në Riad të Arabisë Saudite, nën temën qendrore: “Qytetet dhe Rajonet në Veprim: Rrugët e Planifikimit drejt Qëndrueshmërisë dhe Cilësisë së Jetës”.

Rektori Hajrizi theksoi rëndësinë e qasjeve sistematike, përdorimit të teknologjive digjitale dhe prototipeve të vogla, për të krijuar një model të integruar që përfshin të gjitha grupmoshat dhe sektorët e një qyteti.

Aktualisht, ekosistemi përfshin rreth 17,000 persona dhe kombinon zona komunitare, arsimin, infrastrukturën, shërbimet shëndetësore dhe aktivitetet bujqësore, duke u mbështetur në teknologji si 5G për monitorim dhe analizë në kohë reale.

Pjesëmarrësit në kongres vlerësuan modelin e UBT-së si një shembull model të qytetit të mençur dhe rezilient, duke nënvizuar rolin kyç të universiteteve në udhëheqjen e inovacionit dhe planifikimit urban të qëndrueshëm.