
Vizitë studimore në ARKEP me studentët e vitit të katërt të Juridikut në UBT
26/05/2025UBT vazhdon të jetë një institucion lider në ofrimin e përvojave praktike për studentët, përmes bashkëpunimeve me institucionet më të rëndësishme në vend. Në këtë kuadër, është realizuar me sukses një vizitë studimore në Autoritetin Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), me pjesëmarrjen e studentëve të vitit të katërt të Fakultetit Juridik.
Kjo vizitë përbën një aktivitet të rëndësishëm edukativ, që synon të forcojë lidhjen mes teorisë dhe praktikës, duke i mundësuar studentëve të njihen nga afër me funksionimin real të një institucioni shtetëror me rol të rëndësishëm në garantimin e rregullsisë dhe transparencës në fushën e komunikimeve elektronike dhe postare në Kosovë.
Gjatë vizitës, studentët patën mundësi të bashkëbisedojnë me ekspertë të ARKEP-it, të cilët ofruan një pasqyrë të qartë mbi kompetencat ligjore të këtij autoriteti, sfidat me të cilat përballen në rregullimin e tregut, si dhe rëndësinë që ka ky institucion në mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve dhe promovimin e konkurrencës së ndershme.
Ky aktivitet është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të UBT-së për të promovuar programin Juridik si një program cilësor, i cili përgatit juristë të aftë për të kontribuar në sistemin ligjor dhe institucional të vendit. Studentët e këtij programi nuk marrin vetëm dije teorike, por pajisen edhe me shkathtësi praktike përmes vizitave, punëtorive dhe praktikave profesionale, duke u bërë kështu më të përgatitur për tregun e punës dhe sfidat profesionale që i presin.