
Vizitë studimore e studentëve të Dizajnit të Integruar në Shtypshkronjën “Dukagjini” dhe Galerinë e Arteve në Pejë
28/05/2025Studentët e vitit të dytë të programit Dizajn i Integruar në UBT, nën udhëheqjen e profesorëve Ardita Rizvanolli, Rajan Arapi dhe Arbresha Hoxha, realizuan një vizitë studimore në qytetin e Pejës, në kuadër të zhvillimit praktik të njohurive të fituara gjatë studimeve.
Pjesa e parë e vizitës u zhvillua në Shtypshkronjën “Dukagjini”, një prej emrave më të njohur në industrinë e shtypshkrimit në vend. Studentët patën mundësi të ndjekin nga afër të gjitha etapat e prodhimit grafik – nga konceptimi dhe dizajnimi i produktit, përgatitja për shtyp, procesi i printimit, prerja, deri te lidhja përfundimtare. Kjo përvojë praktike u vlerësua si shumë e rëndësishme për të kuptuar ndërthurjen mes dizajnit, teknologjisë dhe realizimit përfundimtar të një produkti të printuar.
Përfaqësuesit e shtypshkronjës u treguan të hapur dhe bashkëpunues, duke ofruar sqarime të detajuara dhe duke iu përgjigjur me përkushtim pyetjeve të studentëve.
Gjatë qëndrimit në Pejë, studentët vizituan gjithashtu Galerinë e Arteve, ku ishte e hapur ekspozita e artistit Orof Fetah Krypa. Ekspozita përmbante punime grafike të cilat pasuruan ndjeshëm përvojën kulturore dhe artistike të studentëve, duke ndihmuar në zgjerimin e perceptimit vizual dhe estetik që është thelbësor për një dizajner të integruar.
Kjo vizitë u konceptua si pjesë e angazhimit të programit të Dizajnit të Integruar për të kombinuar teorinë me praktikën, duke iu ofruar studentëve mundësi konkrete për të ndërtuar përvojë reale dhe kontakte profesionale në fushën e dizajnit, prodhimit dhe artit.