Vizita në Washington DC: Rektori Hajrizi takohet me Antonny Righott, Ambasadorin Bushati, dhe Nada ZOHDY nga Fondacioni OBAMA

29/03/2024

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, i shoqëruar nga Edison Frangu – Drejtor Ekzekutiv i Open Gov Hub Albania, ka vazhduar vizitat e tij të suksesshme në Washington DC, duke zhvilluar një takim të rëndësishëm me Antonny Righott nga Departamenti i Shtetit, zyrtar i programit në Zyrën e Programeve të Shkëmbimit Akademik të ECA-s.

Në këtë takim, Rektori shprehu falënderimin e tij për Qeverinë Amerikane për përkrahjen e madhe në fushën e shkëmbimeve akademike, përmes bursave Fulbright dhe projekteve të tjera që kanë ndihmuar në zhvillimin e arsimit në Kosovë.

Ai gjithashtu u njoftua për mbështetjen e UBT-së në projekte të ndryshme që kanë impakt të lartë në zhvillimin e universitetit, duke përfshirë edhe ardhjen e ekspertëve specialistë përmes programit Fulbright dhe shkëmbimeve të stafit me universitetet në ShBA.

Rektori gjithashtu ndau me pjesëmarrësit iniciativat dhe bashkëpunimet e reja që janë duke u zhvilluar me universitete të ndryshme në ShBA, duke përfshirë vizitat e fundit në Universitetin e South Florida, bashkëpunimet me universitetet në IOWA dhe vizitat në Washington DC dhe Boston.

Rektori Hajrizi ka vazhduar serinë e takimeve të rëndësishme në Washington DC, duke përfshirë një vizitë të suksesshme në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë.

Gjatë kësaj vizite, Rektori u takua me Ambasadorin Ervin Bushati dhe stafin e tij, ku zhvilluan një bisedë të rëndësishme për bashkëpunimin mes universiteteve shqiptare dhe UBT-së.

Rektori i prezantoi Ambasadorit iniciativat dhe projektet e bashkëpunimit që janë në zhvillim midis UBT-së dhe Universiteteve në Shqipëri. Ky takim shënon një hap të rëndësishëm drejt thellimit të marrëdhënieve ndërkombëtare në fushën e arsimit dhe zhvillimit të dijes.

Rektori Hajrizi është takuar me Nada ZOHDY, Udhëheqësen e Rrjetit Global në Programet Globale të Fondacionit OBAMA.

Gjatë këtij takimi, ata diskutuan për të ardhmen dhe për mundësitë e bashkëpunimit në fusha të ndryshme. Rektori Hajrizi dhe Nada ZOHDY u pajtuan që të vazhdojnë bisedimet për të shfrytëzuar mundësitë dhe potencialin e Fondacionit OBAMA, me theks të veçantë në krijimin e lidershipit të ri.

Rektori Hajrizi shprehu një falënderim të veçantë për Fondacionin OBAMA për kontributin dhe impaktin e tyre në promovimin e vlerave të larta për njerëzimin. Ky takim shënon një hap të rëndësishëm drejt bashkëpunimit të thelluar dhe krijimit të projekteve inovative për të përmbushur synimet e përbashkëta.