
“Ura që na bashkon” – Nis edicioni i dytë i garës UBT Spaghetti Bridge Building Competition 2025
18/04/2025Me një atmosferë dinamike, krijuese dhe plot energji rinore, në ambientet e UBT-së ka nisur zyrtarisht edicioni i dytë i garës “UBT Spaghetti Bridge Building Competition 2025”, nën moton simbolike “Ura që na bashkon”.
Ky aktivitet inovativ ka mbledhur së bashku një numër të madh studentësh, profesorësh, dekanësh, si dhe përfaqësues nga institucione të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare, duke e kthyer këtë ngjarje në një festë të dijes, kreativitetit dhe bashkëpunimit ndërdisiplinor.
Në këtë garë marrin pjesë grupe të ndryshme studentësh nga Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit, Dizajnit të Integruar dhe Arkitekturës në UBT, të cilët përmes aftësive të tyre teknike dhe kreative, do të sfidojnë njëri-tjetrin në ndërtimin e urave funksionale nga spagetit – një ushtrim i veçantë inxhinierik që kombinon njohuritë strukturore me idetë inovative dhe punën ekipore.
Qëllimi i kësaj gare nuk është vetëm testimi i njohurive akademike dhe aplikimi i tyre në praktikë, por edhe promovimi i bashkëpunimit ndërfushor, zhvillimi i mendimit kritik, përmirësimi i aftësive të zgjidhjes së problemeve dhe inkurajimi i të rinjve për të qenë pjesë aktive e inovacionit dhe progresit teknologjik.
Kjo garë tashmë është shndërruar në një traditë të re në UBT, që promovon vlerat e arsimit cilësor dhe të ndërveprimit mes studentëve nga fusha të ndryshme, duke krijuar një urë reale dhe simbolike mes njohurive dhe krijimtarisë.