Universiteti i Varshavës edhe në Kosovë dhe më gjërë

18/10/2013

Prishtinë, 18 tetor 2013- Për herë të parë në Kosovë e më gjerë, Universiteti i Varshavës ofron programe për studime bachelor dhe master në fushën e Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare , falë nënshkrimit të Marrëveshjes së Bashkëpunimit me UBT.

 

Presidenti i UBT-së, prof. dr. Edmond Hajrizi, para të gjithë profesorëve vendorë dhe ndërkombëtarë si dhe studentëve e të interesuar ve të tjerë, në detaje prezantoi programin e përbashkët dhe dha informata direkte për mundësitë e studimit në këtë fushë.

 

“Kjo marrëveshje do t’ua mundësojë studentëve të UBT-së dhe atyre kosovarë dhe të regjionit që studimet universitare në nivelin bachelor, master dhe atë të doktoratës ti ndjekin në UBT dhe në Universitetin e Vrashavës dhe në fund të marrin diplomën e Universitetit të Vrashavës”, ka theksuar presidenti i UBT-së, prof. dr. Edmond Hajrizi.

 

Bashkëpunimi ndërinstitucional në mes UBT dhe Universitetin të Varshavës, ka filluar edhe më herët nëpërmjet projektit “Erasmus Mundus”, për shkëmbim të studentëve dhe stafit. Gjithashtu presidenti Hajrizi, ka zhvilluar takimet dhe vizita të njëpasnjëshme në Universitetin e Varshavës, dhe biseda të shumta me menaxhmentin e lartë të këtij universiteti deri tek marrëveshja konkrete. Gjithashtu, vitin që shkoi, një delegacionin nga Universiteti i Varshavës, i përbërë nga zëvendësrektorja prof. Marta Kicinska- Habiovr, prof. Edward Halizak dhe dr. Jakub Zajaczkowski, pat qëndruar për disa ditë më radhë në Republikën e Kosovës, pikërisht në UBT, dhe para të gjithë profesorëve vendorë dhe ndërkombëtarë, nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ftuan studentët që të bëhen pjesë e programit të përbashkët, të cituar si më lart.

 

Pas aktit solemn të nënshkrimit të kësaj marrëveshje, mysafirët nga Varashava së bashku me menaxhmentin e lartë të UBT-së e kanë vizituar kampusin e ri, dhe mbajtën një ligjëratë publike nga lëmi i shkencave politike, si dhe kanë folur për të arriturat e Universitetit të Varshavës.

 

Gjithashtu, zëvendësrektorja prof. Marta Kicinska- Habiovr, para të pranishmëve është shprehur e kënaqur me të arriturat e UBT-së, sidomos me programet e studimit me teknologjinë më moderne, me infrastrukturën, me stafin akademik dhe me arritjet e studenteve. “Shpreh kënaqësinë time që vizitoj Kosovën me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes për bashkëpunim në mes UBT-së dhe Universitetit të Varshavës”.

 

 

Universiteti i Varshavës është themeluar në vitin 1816, dhe sot renditët në top 4% të universiteteve të kategorisë botërore dhe si universiteti numër një në Poloni. Është universitet gjithëpërfshirës publik, dhe më i madhi në Poloni, me 54 mijë studentë, 3500 staf akademik dhe ligjërues. Ka bashkëpunim ndërkombëtar me përmasa botërore, me 240 marrëveshje bashkëpunimi universitar në 54 vendeve botërore, me 1600 marrëveshje bashkëpunimi, 1000 nga to në kuadër të programin ‘Erasmus Mundus’, të Unionit Evropian, dhe është anëtar aktiv në kuadër të këtij projekti”, është shprehur ajo.