
UBT zhvillon sesione informuese në tri shkolla të mesme në Gjakovë
23/04/2025Qendra e Karrierës e UBT-së ka vazhduar ciklin e sesioneve informuese në shkollat e mesme të Kosovës, me qëllim të prezantimit të mundësive akademike dhe profesionale që ofron ky institucion i arsimit të lartë. Kësaj radhe, përfaqësuesit e UBT-së vizituan tre shkolla të rëndësishme në qytetin e Gjakovës: Gjimnazin “Hajdar Dushi”, Shkollën e Mesme Ekonomike “Kadri Kusari” dhe Shkollën Teknike “Nexhmedin Nixha”.
Gjatë këtyre takimeve, maturantët patën rastin të informohen nga afër për programet studimore që ofron UBT në më shumë se 50 fusha të ndryshme, përfshirë shkencat kompjuterike, inxhinierinë, ekonominë, mjekësinë, artin, shkencat humane dhe teknologjitë e reja.
Përfaqësuesit e Qendrës së Karrierës prezantuan gjithashtu mundësitë për bursa të plota dhe të pjesshme, si dhe për mobilitete ndërkombëtare në kuadër të programit Erasmus+, që u japin studentëve mundësinë të ndjekin një pjesë të studimeve në universitetet më prestigjioze të Evropës.
Në fokus të prezantimit ishte edhe angazhimi i UBT-së për të lidhur studimet me tregun e punës, përmes praktikave profesionale, laboratorëve të teknologjisë së fundit, qendrave të inovacionit dhe një rrjeti të gjerë bashkëpunimesh me sektorin privat dhe publik, si brenda ashtu edhe jashtë vendit.
Sipas të dhënave të fundit, mbi 98 për qind e studentëve të UBT-së arrijnë të sigurojnë punësim gjatë ose menjëherë pas përfundimit të studimeve, çka e bën këtë institucion një nga më të suksesshmit në rajon për përgatitjen e kuadrove profesionale.
Fushata informuese e Qendrës së Karrierës do të vazhdojë edhe në komuna të tjera të Kosovës, me synimin për të ndihmuar të rinjtë të marrin vendime të informuara për të ardhmen e tyre akademike dhe profesionale.