
UBT zhvillon sesion informues për maturantët e Istogut
22/04/2025Qendra e Karrierës e UBT-së ka zhvilluar një sesion informues në Gjimnazin “Haxhi Zeka” në Istog, ku ka prezantuar ofertën akademike dhe mundësitë që ky institucion ofron për të rinjtë që synojnë të vazhdojnë studimet universitare.
Gjatë takimit, maturantët janë informuar në detaje për programet e avancuara të studimit që UBT ofron në nivelet bachelor dhe master, për mundësinë e përfitimit të bursave të plota dhe të pjesshme, si dhe për mobilitetet ndërkombëtare përmes programit Erasmus+, që u mundësojnë studentëve të studiojnë për një ose më shumë semestra në universitetet më të njohura evropiane.
Përfaqësuesit e Qendrës së Karrierës theksuan gjithashtu rëndësinë që UBT i kushton lidhjes së arsimit me tregun e punës, duke nënvizuar faktin se mbi 98 për qind e studentëve të këtij institucioni sigurojnë punësim gjatë ose menjëherë pas përfundimit të studimeve.
Kjo vizitë në Istog është pjesë e një fushate të gjerë informuese që UBT po zhvillon nëpër komuna të ndryshme të vendit, me synim që të sjellë më afër të rinjve mundësitë për arsim cilësor dhe zhvillim profesional.