
UBT vazhdon të vendosë standarde globale – përkrah universiteteve më prestigjioze në botë në rangimin e fundit global nga WURI
18/07/2025Një sukses që tejkalon kufijtë kombëtarë dhe vendos Kosovën në hartën globale të arsimit të lartë është rangimi i radhës i UBT-së, i cili ka arritur të renditet ndër universitetet më të mira dhe më inovative në botë, sipas rangimit prestigjioz të World University Rankings for Innovation (WURI 2025), duke u radhitur përkrah universiteteve prestigjioze si Harvard, MIT, Stanford, Oxford, e të tjera.
Në raportin zyrtar të publikuar nga WURI, UBT ka arritur pozicionime të larta në disa kategori kyçe, duke u radhitur në mesin e institucioneve lidere të arsimit të lartë në nivel global:
- Vendi i 10-të në kategorinë ESG Trend (B3) – për përkushtimin në mjedis, shoqëri dhe menaxhim të qëndrueshëm;
- Vendi i 14-të në kategorinë Funding for Sustainability (B5) – për sigurimin e burimeve për projekte që ndihmojnë zhvillimin e qëndrueshëm;
- Vendi i 5-të në kategorinë University Brand and Reputation (B8) – për ndërtimin e një identiteti të fuqishëm institucional dhe reputacioni ndërkombëtar në rritje;
- Dhe, vendi i 208-të në renditjen e përgjithshme ndër Global Top 400 Innovative Universities.
Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, vlerësoi këto arritje si një tregues i qartë i progresit të vazhdueshëm të institucionit.
“UBT po dëshmon se është një forcë lëvizëse e arsimit të lartë në botë. Rangimet e WURI janë pasqyrim i realitetit që po ndërtojmë çdo ditë: një universitet që promovon dijen, inovacionin, dhe përkushtimin ndaj zhvillimit të qëndrueshëm dhe ndërkombëtarizimit”.
Ky sukses i radhës konfirmon rolin e UBT-së si një lider në fushën e inovacionit, teknologjisë dhe ndërkombëtarizimit, duke e vendosur Kosovën fuqishëm në hartën globale të arsimit cilësor dhe transformues.
Për më tepër, renditja e UBT-së në mesin e universiteteve më të mira dhe më inovative në botë sipas WURI 2025 përfaqëson një arritje të jashtëzakonshme jo vetëm për institucionin, por për gjithë sistemin e arsimit të lartë në Kosovë. Pozicionimi në vendin e 10-të për ESG Trend dëshmon angazhimin e UBT-së për zhvillim të qëndrueshëm dhe përgjegjësi ndaj mjedisit dhe shoqërisë, ndërsa vendi i 14-të në Funding for Sustainability tregon kapacitetin për të siguruar burime për projekte me ndikim afatgjatë. Veçanërisht i rëndësishëm është renditja në vendin e 5-të në University Brand and Reputation, që e vendos UBT-në si një nga institucionet me reputacion më të madh global, duke rritur besueshmërinë dhe vlerën e diplomës për studentët, si dhe mundësitë për bashkëpunime ndërkombëtare për stafin akademik.
Ky sukses e ngre më tej profilin e Kosovës në skenën ndërkombëtare të arsimit, duke e bërë më tërheqëse për studentë, profesorë dhe partnerë strategjikë nga e gjithë bota dhe duke dëshmuar se institucionet kosovare mund të konkurrojnë denjësisht në nivel global.