UBT uron 8 Marsin – Ditën Ndërkombëtare të Gruas
08/03/2026Me rastin e 8 Marsit – Ditës Ndërkombëtare të Gruas, UBT uron dhe vlerëson kontributin e grave në zhvillimin e shoqërisë, arsimit dhe inovacionit.
Rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi, theksoi se kjo ditë është një moment i rëndësishëm për të reflektuar mbi arritjet e grave ndër vite, por edhe për të vazhduar angazhimin për barazi dhe mundësi të barabarta në çdo fushë të jetës.
Sipas tij, gratë janë një forcë e rëndësishme që kanë kontribuar fuqishëm në zhvillimin e shoqërisë, duke dëshmuar përkushtim, profesionalizëm dhe lidership në shumë sektorë.
“Dita Ndërkombëtare e Gruas është një ditë për të nderuar arritjet dhe kontributin e jashtëzakonshëm të grave në shoqëri. Sot gratë janë pjesë kyçe e zhvillimit në politikë, biznes, shkencë, arsim, art dhe kulturë. Përkushtimi, vendosmëria dhe puna e tyre kanë bërë që ato të arrijnë pozita të rëndësishme dhe të jenë një frymëzim për brezat e rinj”, u shpreh Rektori Hajrizi.
Ai shtoi se në UBT mbështetja dhe fuqizimi i grave është një mision i vazhdueshëm, duke krijuar një ambient ku gratë kanë mundësi të barabarta për zhvillim profesional dhe akademik.
Falë këtij përkushtimi, UBT është institucioni me numrin më të madh të grave të punësuara në rajon, shumë prej të cilave mbajnë role udhëheqëse dhe koordinuese brenda institucionit.
Në këtë ditë simbolike, UBT shpreh mirënjohje për të gjitha gratë që me punën, vizionin dhe përkushtimin e tyre kontribuojnë çdo ditë në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë dhe më të zhvilluar.
Gëzuar 8 Marsin – Ditën Ndërkombëtare të Gruas!