
UBT u dallua me përfaqësim të suksesshëm dhe kontribut shkencor në Kongresin e 9-të Ndërkombëtar të Infermierisë Forenzike në Turqi
21/05/2025Në Universitetin e Kırıkkale-s në Turqi u mbajt Kongresi i 9-të Ndërkombëtar i Infermierisë Forenzike, i cili mblodhi studiues, akademikë dhe profesionistë nga vende të ndryshme për të diskutuar zhvillimet më të fundit në fushën e infermierisë dhe shkencave forenzike.
Ky kongres u organizua në bashkëpunim me Universitetin Katip Çelebi të Izmirit, Universitetin Bozok të Yozgatit, dhe Shoqatën e Shkencëtarëve Forenzikë të Turqisë, ndërkohë që UBT mori pjesë si universitet partner, duke u dalluar me prezencën dhe kontributin e tij shkencor.
UBT u përfaqësua nga Prof. Dr. Cengiz Çesko, i cili mbajti një prezantim shkencor në fushën e tij të ekspertizës. Prezantimi u prit me interes dhe vlerësim të lartë nga pjesëmarrësit, duke reflektuar profesionalizmin dhe përvojën akademike të UBT-së në fushat e shkencave forenzike dhe atyre shëndetësore.
Ndër figurat e rëndësishme të pranishme në këtë kongres ishin edhe Prorektori i Universitetit të Kırıkkale-s, Prof. Dr. Mehmet Başalan, dhe Rektori i Universitetit Bozok të Yozgatit, Prof. Dr. Evren Yaşar. Në emër të UBT-së, Prof. Dr. Cengiz Çesko u dorëzoi atyre dhurata simbolike – një gjest që u vlerësua si shprehje e respektit institucional dhe thellimit të bashkëpunimit akademik ndërkombëtar.
Pjesëmarrje aktive në organizimin dhe zhvillimin e kongresit pati edhe Prof. Dr. Hamit Hancı, Kryetar i Shoqatës së Shkencëtarëve Forenzikë, i cili kontribuoi ndjeshëm në pasurimin e sesioneve shkencore dhe tërë programit kongresual.
Gjuha zyrtare e kongresit ishte turqishtja dhe anglishtja, ndërsa ngjarja ofroi një platformë të vlefshme për shkëmbim të njohurive dhe përvoja ndërkombëtare në fushën e infermierisë forenzike, duke nxitur lidhje të reja akademike dhe profesionale në këtë fushë me rëndësi të veçantë.