
UBT sjell për herë të parë në Kosovë ekspozitën kushtuar vizionarit dhe inxhinierit Karl Gega
14/07/2025UBT do të sjell për herë të parë në Kosovë ekspozitën kushtuar jetës dhe veprës së inxhinierit të njohur të shekullit XIX, Karl Gega – një figurë kyçe e historisë evropiane të inxhinierisë dhe ndërlidhjes ndërkulturore.
Ekspozita do të hapet, nesër, më 15 korrik, në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së, në Lipjan, duke filluar nga ora 17:00, duke shënuar një moment të rëndësishëm kulturor dhe shkencor për vendin dhe mbarë rajonin.
E realizuar në bashkëpunim me Fondacionin Musei Civici di Venezia, kjo ekspozitë sjell në vëmendje trashëgiminë evropiane të Karl Gegës si një inxhinier që bashkoi kulturat dhe ndërlidhi komunitetet përmes projekteve të tij vizionare.
Rektori dhe Presidenti i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, ka theksuar se kjo ekspozitë është rezultat i një bashkëpunimi të frytshëm ndërinstitucional dhe dëshmi e përkushtimit të UBT-së për të promovuar dijen, kulturën dhe trashëgiminë përmes një qasjeje akademike dhe inovative.
Kontributi i studentëve dhe stafit të Fakulteteve të Artit dhe Medias Digjitale, Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor, si dhe Dizajnit të Integruar, ka qenë thelbësor në përgatitjen dhe realizimin e kësaj ekspozite.
Ekspozita përfshin dokumente arkivore, plane inxhinierike, vizatime origjinale dhe materiale multimediale, duke e shndërruar në një përvojë edukative dhe vizuale që ndërlidh të kaluarën me të ardhmen, shkencën me artin, dhe trashëgiminë me inovacionin.
Përmes këtij organizimi, UBT dëshmon rolin e vet si institucion lider në krijimin e urave ndërmjet kulturave dhe shkencave të ndryshme, si dhe angazhimin e tij për të sjellë në Kosovë aktivitete me përmbajtje ndërkombëtare dhe vlerë të lartë arsimore dhe kulturore.