
UBT sjell modën dhe kreativitetin në fokus: Hapet Akademia Verore e Dizajnit
08/07/2025Në kuadër të Global UBT Fest 2025, u hap zyrtarisht Akademia Verore e Dizajnit, një prej aktiviteteve më frymëzuese të kësaj vere, ku studentët patën mundësinë të angazhohen në sesione praktike dhe diskutime kreative me fokus në dizajnin e veshjeve dhe shprehjen vizuale.
Aktiviteti u zhvillua në Kampusin e UBT-së në Lipjan dhe nisi më 7 korrik, me fjalën përshëndetëse dhe prezantimin e strukturës nga Furkan Rada, i cili udhëhoqi tërë ditën e parë të akademisë me tema motivuese dhe praktike.
Furkan Rada foli për:
- Rëndësinë e dizajnit të veshjeve si formë shprehjeje vizuale,
- Procesin kreativ nga koncepti deri te produkti final në treg,
- Përfitimet praktike dhe profesionale për studentët pjesëmarrës, si dhe
- Udhëzime për përgatitjen e punimeve për publikim online – duke nënvizuar rëndësinë e ndërtimit të portofolios digjital për karrierën e të rinjve në industrinë e modës dhe dizajnit.
Dita e dytë, më 8 korrik, solli në skenë profesorët Uran Krasniqi dhe Besfort Salihu, të cilët drejtuan një seancë reflektuese me vetë studentët:
- Prezantime të punimeve të realizuara nga vetë pjesëmarrësit,
- Komente dhe vlerësime profesionale nga juria akademike,
- Këshilla për përmirësimin e teknikave të dizajnit dhe
- Diskutim të hapur mbi rrugën e zhvillimit të mëtejshëm në këtë fushë.
Akademia Verore e Dizajnit në UBT është krijuar për të nxitur shprehjen artistike, të zhvillojë aftësitë praktike të studentëve dhe për t’i përgatitur ata për sfidat reale të industrisë kreative. Përmes një kombinimi të ligjëratave, punës praktike dhe vlerësimeve profesionale, studentët përfitojnë njohuri të vlefshme që tejkalojnë teorinë dhe i afron drejt tregut të punës.
Kjo akademi mbetet një shembull i përkushtimit të UBT-së për edukim cilësor, inovativ dhe të orientuar drejt suksesit të studentit.