
UBT sjell modelin e suksesshëm austriak të arsimit në turizëm: Dy diploma për studentët e Kosovës dhe rajonit
08/09/2025Turizmi është një sektor kyç për zhvillimin ekonomik dhe të qëndrueshëm të Kosovës, që kërkon profesionistë të përgatitur sipas praktikave më të mira ndërkombëtare. Për ta bërë këtë të mundur, UBT ka nënshkruar një marrëveshje për Diplomë të Dyfishtë (Double Degree) me IMC Krems – University of Applied Sciences në Austri, një nga modelet më të suksesshme evropiane në arsimin për turizëm.
Në bazë të kësaj marrëveshjeje, studentët e Turizmit në UBT do të studiojnë dy vite në Kosovë dhe vitin e fundit në Austri, duke u pajisur me dy diploma universitare – një nga UBT dhe një nga IMC Krems.
Marrëveshja u nënshkrua nga Presidenti i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, në Austri, ku ai u prit nga themeluesi dhe kryetari i bordit mbikëqyrës të IMC Krems, Heinz Boyer, drejtori ekzekutiv Udo Brändle, si dhe nga Iris Waringer, drejtuese e Marrëdhënieve Ndërkombëtare, dhe Chen Yang, përgjegjës për projektet ndërkombëtare.
“Ky bashkëpunim është dëshmi e orientimit ndërkombëtar të UBT-së dhe përkushtimit tonë për t’u ofruar studentëve mundësi unike që e rrisin cilësinë e studimeve dhe hapin dyert e karrierës ndërkombëtare”, tha Rektori Hajrizi.
Ky program Double Degree do të shndërrohet në një nga shtyllat kryesore të zhvillimit të turizmit në Kosovë, duke përgatitur gjenerata të reja profesionistësh që do të kontribuojnë në promovimin e vendit si destinacion turistik dhe në rritjen e standardeve të industrisë së mikpritjes.
Austria konsiderohet si një ndër modelet më të suksesshme në fushën e arsimit profesional për turizëm dhe hotelieri, duke ofruar një sistem shkollimi të avancuar dhe të orientuar drejt praktikës.