UBT shënon arritje historike: Renditet përsëri ndër institucionet më të mira në botë dhe i pari në rajon, sipas GreenMetric
12/12/2025UBT është renditur ndër institucionet më të mira në botë nga UI GreenMetric World University Ranking, një ndër vlerësimet globale më prestigjioze për qëndrueshmërinë universitare dhe kampuset e gjelbra. UBT është institucioni i parë në rajon që pozicionohet me sukses në këtë renditje të rëndësishme ndërkombëtare.
Nga mbi 1,800 institucione pjesëmarrëse nga e gjithë bota, UBT është renditur në 50% e institucioneve më të mira, duke konfirmuar angazhimin e tij për krijimin e kampuseve të gjelbra, të qëndrueshme dhe inovative.
Në veçanti, në kategorinë e kampuseve inovative, në mesin e mbi 500 institucione të përfshira globalisht, UBT u rendit në vendin e 169, duke treguar përkushtimin e vazhdueshëm të institucionit ndaj standardeve ndërkombëtare dhe inovacionit në mjedis.
UI GreenMetric përdor një metodologji që vlerëson 39 indikatorë në gjashtë fusha kyçe: mjedisin dhe infrastrukturën, energjinë dhe ndryshimet klimatike, menaxhimin e mbetjeve, ujin, transportin, si dhe edukimin dhe kërkimin.
Rezultatet e këtij viti e pozicionojnë UBT-në si një nga institucionet më të përparuara në rajon për qëndrueshmërinë e kampusit dhe politikat inovative të menaxhimit. Kjo arritje e vendos UBT-në në një pozitë të veçantë në hartën akademike ndërkombëtare dhe përfaqëson një sukses të jashtëzakonshëm për institucionin dhe arsimin e lartë në Kosovë.
Ajo dëshmon se institucionet në Kosovë mund të konkurrojnë me sukses në skenën globale, duke tejkaluar standardet ndërkombëtare në qëndrueshmëri, inovacion dhe zhvillim të përgjegjshëm. UBT ka qenë pjesë e kësaj renditjeje prestigjioze edhe në vitet 2023 dhe 2024, duke treguar një angazhim të vazhdueshëm për qëndrueshmërinë mjedisore dhe ndryshimet klimatike.