UBT sërish i pari në rangimin e Webometrics – Lider në arsimin e lartë privat në Kosovë

31/07/2025

Në edicionin e korrikut të rangimit ndërkombëtar Webometrics, UBT ka konfirmuar edhe një herë pozitën e tij si institucioni më i mirë privat i arsimit të lartë në Kosovë, duke dëshmuar vazhdimësinë e përkushtimit ndaj cilësisë akademike dhe kërkimit shkencor.

Ky sukses i radhës nuk është vetëm një tregues i pozicionimit të lartë në nivel ndërkombëtar, por edhe një dëshmi konkrete e progresit të vazhdueshëm të institucionit në fushat kyçe të arsimit modern dhe inovacionit.

Rritja e vazhdueshme e numrit të citimeve në publikimet shkencore të stafit të UBT-së është një tregues i qartë i qasjes së qëndrueshme dhe serioze ndaj shkencës, si dhe impaktit të saj shoqëror. Kjo rritje pasqyron jo vetëm përkushtimin individual të stafit akademik, por edhe mbështetjen institucionale, përfshirë infrastrukturën moderne për hulumtim dhe politikat e brendshme që inkurajojnë botimet cilësore.

Rangimi Webometrics, i cili publikohet çdo gjashtë muaj nga Cybermetrics Lab – pjesë e Këshillit Kombëtar të Kërkimeve Shkencore të Spanjës – analizon mijëra universitete dhe institucione të arsimit të lartë në të gjithë botën. Vlerësimi bazohet në disa indikatorë, si transparenca akademike, përmbajtja online dhe ndikimi i punimeve shkencore.

Përveç suksesit në këtë rangim, UBT ndër vite është vlerësuar lartë edhe në fusha të tilla si teknologjia, inovacioni, inteligjenca artificiale gjenerative, ndërmarrësia dhe cilësia e arsimit. Vlerësimet e vazhdueshme nga organizata ndërkombëtare e pozicionojnë UBT-në si një institucion udhëheqës që kontribuon në zhvillimin akademik dhe shoqëror të Kosovës, duke e përfaqësuar atë me dinjitet në skenën globale.