UBT renditet në vendin e gjashtë në botë për revolucionin e katërt industrial nga WURI

bool(false) 15/06/2022

Rektori i UBT-së, prof. dr. Edmond Hajrizi, përmes një konference për media, ka njoftuar se UBT është radhitur në vendin e gjashtë në botë nga World’s Universities with Real Impact (WURI 2022), në rangimin për revolucionin e katërt industrial, duke shënuar kështu edhe një sukses tjetër të Kosovës në arenën ndërkombëtare në fushën e arsimit dhe edukimit.

 

Rektori Hajrizi, tregoi se të arriturat e UBT-së, në sferën e arsimit, shkencës dhe teknologjisë, kanë rezultuar duke e ngritur pozicionin e këtij institucioni të arsimit të lartë në vendin e gjashtë në WURI 2022, dhe duke e vendosur Kosovën në hartën e universiteteve më prestigjioze në botë.

 

“Kjo është një arritje tjetër e UBT-së, duke u radhitur në vendin e gjashtë në një organizatë botërore siç është WURI, e cila merret kryesisht me vlerësimin dhe rangimin e universiteteve në këndvështrim të impaktit të tyre. Duke marrë parasysh që UBT tash ka hyrë në një fazë me mbi 20 vjet përvojë, kemi filluar të pozicionohemi në pjesën e krahasimit me institucionet e tjera nëpër botë dhe jemi shumë krenar që sot kemi rezultate shumë të mira, duke e vendosur Kosovën në hartën e universiteteve më prestigjioze në botë”, ka thënë rektori Hajrizi.

 

Ndër të tjera, rektori Hajrizi tregoi se UBT është duke punuar çdo ditë që të rinjve në Kosovë dhe më gjerë, t’iu ofrojë kushtet më moderne dhe arsim cilësor, përmes një ekosistemi inovativ, i cili do të vazhdojë të bazohet në ndërmarrësi dhe inovacion.

 

“Kërkohet që roli i universitetit të jetë më aktiv, më ndërmarrës, më inovativ, të mos jetë më në formën klasike edukim, hulumtim, por më shumë një lloj ekosistemi, dhe ne e kemi kuptuar këtë rol. UBT është një institucion i bazuar në ndërmarrësi dhe inovacion, dhe është duke vazhduar të reflektojë në këto lloj transformime dhe të bëhet pjesë e lidershipit botëror me modele të reja universitare”, u shpreh rektori Hajrizi.

 

Suksesi i UBT-së në WURI 2022, vjen pas rangimit në mesin e universiteteve më të mira në botë nga Times Higher Education, kështu duke u bërë institucioni më i suksesshëm në rajon, por edhe duke e ngritur nivelin e përfaqësimit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

 

Në linkun në vazhdim mund të gjeni listën e universiteteve nga WURI, ku bën pjesë edhe UBT: WURI Rankings 2022