UBT renditet i pari në Kosovë dhe ndër universitetet më të mira në rajon nga THE Impact Rankings 2025

23/06/2025

UBT ka dëshmuar edhe një herë përkushtimin e tij ndaj cilësisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm, duke u renditur në mesin e universiteteve më të mira në rajon sipas THE Impact Rankings 2025 – klasifikimi global që mat performancën e universiteteve në përmbushjen e Qëllimeve të Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDGs) të Kombeve të Bashkuara.

UBT qëndron larg përpara të gjitha universiteteve të tjera në Kosovë, duke dëshmuar përkushtimin e tij të vazhdueshëm për ndikim real në shoqëri, ekonomi dhe mjedis. Në këtë edicion të rankimit, UBT ka shënuar progres të theksuar krahasuar me vitet e kaluara, veçanërisht në disa fusha kyçe të qëndrueshmërisë globale si:

SDG 5 – Barazi gjinore: Me politika aktive për gjithëpërfshirje, barazi dhe fuqizimin e grave në edukim dhe menaxhim,

SDG 9 – Industri, Inovacion dhe Infrastrukturë: Përmes zhvillimit të ekosistemeve të inovacionit dhe teknologjisë, si dhe infrastrukturës së avancuar kërkimore,

SDG 11 – Qytete dhe komunitete të qëndrueshme: Me projekte të shumta në planifikimin dhe ndërtimin e kampuseve të mençura, reziliente dhe miqësore me mjedisin

SDG 12 – Konsum dhe prodhim i qëndrueshëm: Me integrimin e parimeve të ekonomisë qarkore në edukim dhe praktika institucionale.

Ky sukses është dëshmi e vizionit të UBT-së si institucion lider në arsimin e lartë, inovacion dhe zhvillim të qëndrueshëm, i cili jo vetëm që konkurron denjësisht në nivel ndërkombëtar, por edhe kontribuon ndjeshëm në ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për komunitetet lokale dhe më gjerë.

Times Higher Education (THE) Impact Rankings vlerëson dhe rangon universitetet në mbarë botën bazuar në kontributet e tyre në raport me promovimin dhe implementimin e Qëllimeve të Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDGs) të Kombeve të Bashkuara. Ky rangim global përqendrohet në ndikimin shoqëror dhe mjedisor të një universiteti përmes mësimdhënies, kërkimit shkencor, angazhimit me komunitetin dhe politikave të brendshme – përtej aktivitetit klasik akademik dhe shkencor.

Institucionet ndër të tjera vlerësohen edhe për SDG 17 (Partneritet për Qëllimet), SDG 4 (Arsimi Cilësor), SDG 5 (Barazia Gjinore) dhe SDG 13 (Veprimi për Klimën). SDG-të tjera përfshijnë shëndetin, inovacionin dhe qytetet e qëndrueshme. Këto renditje promovojnë transparencën dhe inkurajojnë universitetet të harmonizojnë punën e tyre me sfidat globale, duke theksuar rolin e tyre në avancimin e zhvillimit të qëndrueshëm.