
UBT prezanton mundësitë e studimit për maturantët e Podujevës
25/04/2025Qendra e Karrierës e UBT-së ka vazhduar fushatën informuese nëpër shkollat e mesme të Kosovës, duke ndaluar kësaj radhe në qytetin e Podujevës. Përfaqësuesit e UBT-së vizituan Gjimnazin “Aleksandër Xhuvani” dhe Shkollën e Mesme Ekonomike Juridike “Isa Boletini”, ku zhvilluan sesione informuese me maturantët që po përgatiten për të nisur rrugëtimin e tyre akademik.
Gjatë këtyre takimeve, nxënësit patën mundësinë të njihen nga afër me programe të avancuara studimi, të cilat UBT i ofron në nivelet bachelor dhe master, në fusha të ndryshme si teknologjia, shkencat kompjuterike, inxhinieria, shëndetësia, arkitektura, menaxhimi, arti, dizajni dhe shumë të tjera.
Pjesë e rëndësishme e prezantimit ishin edhe mundësitë e shumta për bursa dhe mobilitet ndërkombëtar, përmes programeve si Erasmus+, që u mundësojnë studentëve të kryejnë një semestër apo më shumë në universitetet më të njohura të Evropës, duke përfituar përvojë ndërkombëtare dhe duke zgjeruar horizontin akademik e profesional.
Përveç kësaj, përfaqësuesit e UBT-së prezantuan edhe infrastrukturën moderne, qendrat kërkimore dhe laboratorët e teknologjisë së lartë që i shërbejnë zhvillimit të kompetencave të studentëve. U theksua fakti që UBT është një institucion i fokusuar në punësimin e qëndrueshëm të studentëve, ku mbi 98% e tyre gjejnë punë gjatë ose menjëherë pas përfundimit të studimeve.
Maturantët e Podujevës u interesuan për drejtimet që lidhen me trendet e reja në tregun global të punës, për mundësitë e angazhimit në projekte studentore dhe për partneritetet ndërkombëtare që UBT ka ndërtuar ndër vite me dhjetëra universitete dhe kompani lidere në Evropë dhe më gjerë.
Ky sesion është pjesë e strategjisë së UBT-së për të qenë afër të rinjve në çdo qytet, duke ofruar informacion të drejtpërdrejtë dhe mbështetje konkrete për orientimin e tyre në fazën e rëndësishme të përzgjedhjes së studimeve.