
UBT prezanton mundësitë akademike për maturantët e Fushë Kosovës
08/05/2025Në kuadër të fushatës informuese që po zhvillon në të gjitha komunat e vendit, Qendra e Karrierës e UBT-së ka ndalur këtë javë në Fushë Kosovë, ku ka takuar maturantët për t’i informuar nga afër për mundësitë që ofron institucioni për studime akademike dhe zhvillim profesional.
Përfaqësuesit e UBT-së zhvilluan sesione informuese me nxënës të shkollave të mesme të këtij qyteti, duke prezantuar programet e avancuara të studimit, që mbulojnë një gamë të gjerë fushash – nga teknologjia e informacionit, inxhinieria dhe shëndetësia, deri te arkitektura, menaxhimi, arti, dizajni dhe shkencat humane.
Gjatë prezantimit, u theksua mundësia për bursa studimi dhe përfshirja në programe të mobilitetit ndërkombëtar, si Erasmus+, që u mundëson studentëve të studiojnë për një semestër apo më gjatë në universitetet më prestigjioze të Evropës, duke fituar përvojë ndërkombëtare dhe duke rritur konkurrueshmërinë në tregun e punës.
Përfaqësuesit e UBT-së informuan gjithashtu për infrastrukturën moderne të institucionit, laboratorët bashkëkohorë, qendrat e inovacionit dhe mundësitë për përfshirje në projekte kërkimore dhe ndërkombëtare, që i ndihmojnë studentët të zhvillojnë aftësi praktike dhe të jenë të përgatitur për sfidat e tregut global.
Pjesëmarrësit u shprehën të interesuar për qasjen inovative të UBT-së në arsim, për orientimin drejt teknologjisë dhe dijes, si dhe për mbështetjen që ofrohet për karrierën dhe punësimin e të diplomuarve. Statistikat tregojnë se mbi 98% e studentëve të UBT-së punësohen gjatë apo menjëherë pas përfundimit të studimeve, çka e bën këtë institucion një ndër zgjedhjet më të sigurta për të ardhmen akademike dhe profesionale të të rinjve.
Vizita në Fushë Kosovë është pjesë e një angazhimi të vazhdueshëm të UBT-së për të qenë afër të rinjve në çdo komunë të Kosovës, duke i ndihmuar ata të marrin vendime të informuara për të ardhmen e tyre.