
UBT prezanton mundësitë akademike për maturantët e Ferizajt
24/04/2025Në kuadër të fushatës informuese që po zhvillon në të gjitha komunat e Kosovës, Qendra e Karrierës e UBT-së ka mbajtur një sesion të veçantë informues në Shkollën e Mesme të Lartë të Agrobiznesit dhe Teknologjisë “Zenel Hajdini” në Ferizaj. Qëllimi i këtij takimi ishte ofrimi i informatave të detajuara për mundësitë që UBT ofron për të rinjtë që janë në përfundim të shkollës së mesme dhe po përgatiten për studimet e larta.
Përfaqësuesit e Qendrës së Karrierës prezantuan gamën e gjerë të programeve të avancuara akademike, të cilat UBT i ofron në fusha si teknologjia, shëndetësia, inxhinieria, shkencat sociale, menaxhimi, arti dhe inovacioni digjital. Gjatë sesionit u theksuan edhe mundësitë për bursa, përfshirë bursat për ekselencë dhe ato që ofrohen në bashkëpunim me partnerë vendorë e ndërkombëtarë.
Një ndër pikat më të rëndësishme të prezantimit ishte edhe programi Erasmus+, përmes të cilit studentët e UBT-së mund të realizojnë mobilitete ndërkombëtare në universitetet më të njohura të Evropës, duke përfituar nga eksperiencat akademike ndërkombëtare dhe rritja e kapaciteteve profesionale.
Përveç kësaj, u prezantua edhe struktura moderne e UBT-së, e cila përfshin laboratorë të teknologjisë së fundit, qendra të inovacionit, platforma digjitale për mësim dhe bashkëpunime të shumta me industrinë. Kjo i mundëson studentëve të jenë të përgatitur për tregun e punës që nga viti i parë i studimeve.
Statistikat e deritanishme tregojnë se mbi 98 për qind e studentëve të UBT-së sigurojnë punësim gjatë ose menjëherë pas përfundimit të studimeve, çka e bën këtë institucion ndër më të suksesshmit në Kosovë dhe rajon.
UBT do të vazhdojë me sesione të tilla nëpër shkollat e vendit, me synimin që çdo i ri të ketë mundësinë të informohet për rrugën që mund ta çojë drejt një të ardhmeje të sigurt dhe të suksesshme akademike.