UBT prezantoi Qendrën për Siguri Kibernetike dhe Privatësi

08/04/2015

Prishtinë, 8 prill. – Rektori i UBT-së, dr.Edmond Hajrizi mori pjesë sot në punëtorinë “Masat e Sigurisë”, në kuadër të diskutimeve për Privatësinë në Epokën Digjitale, të organizuar nga Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

 

Para të pranishmëve të shumtë, rektori Hajrizi prezantoi Qendrën për Siguri Kibernetike dhe Privatësi, e cila funksionon në kuadër të UBT-së, dhe foli në detaje për rëndësinë e padiskutueshme të mbrojtjes së të dhënave në epokën digjitale dhe për mundësitë që ofron Qendra e krijuar nga UBT në këtë fushë.

 

Ai theksoi se kjo qendër do të shërbejë si pikë reference për zhvillimin e diskutimeve në këtë fushë dhe për dhënien e këshillave për të gjitha institucionet e interesuara dhe në të gjitha nivelet.

 

UBT, tha rektori Hajrizi, ka aktivitete të hershme në fushën e sigurisë, duke përfshirë edhe bashkëpunimin me universitet norvegjeze, që ka rezultuar me një përvojë dhe hulumtim me shumë interes.

 

Ai gjithashtu përkujtoi se UBT ka një marrëveshje bashkëpunimi me Agjencinë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, me të cilën do të bashkëpunojë edhe në të ardhmen, në projekte të ndryshme.

Bashkëpunimin e mirë mes këtyre dy institucioneve e theksoi edhe z.Mentor Hoxhaj nga Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, i cili bëri një prezantim të gjatë në temën e masave të sigurisë së të dhënave.

 

“Çështja e sigurisë më nuk është temë për të diskutuar nëse është apo nuk është e arsyeshme, edhe në nivelin global, edhe në nivelin evropian edhe në nivelin kosovar. Motivimi ynë se ne kemi pasur një projekt katërvjeçar me Norvegjinë dhe me disa universitete në regjion dhe kemi punuar shumë në fushën e sigurisë. Si rezultat i këtij bashkëpunimi, kemi programin në fushën e sigurisë dhe themelimin e kësaj qendre. Edhe norvegjezët para një viti kanë themeluar qendrën e tyre në këtë fushë, ku i kanë ndërlidhur të gjitha palët e interesit”, tha ai.

 

Z.Hajrizi theksoi në vijim se UBT është shkolla më e madhe e IT-së dhe fushat që ofrohen në UBT lidhen mjaft shumë me sigurinë, përfshirë këtu studimet në nivele të ndryshme dhe hulumtimet e shumta.

“Nuk është vetëm siguria në aspektin teknik, por është edhe në aspektin e politikave, në aspektin e standardeve, në aspektin e sistemeve. Është një sistem shumëdisiplinar dhe është shumë e rëndësishme që ne, nga të gjitha fushat, t’i qasemi dhe të merremi me këtë punë. Ne na intereson hulumtimi dhe zhvillimi, sepse e kemi obligim të punojmë në këtë fushë. Na intereson të punojmë edhe në ngritjen e kompetencave profesionale në Kosovë, sepse e shohim se kjo kompetencë mungon, pasi është një fushë  e re. Por, konsiderohet si një fushë që do të gjenerojë vende të shumta të reja punës. Do të ketë kërkesa të shumta për personat që merren me sigurinë”, vijoi Hajrizi.

 

Dr.Hajrizi theksoi në vazhdim se kjo qendër e UBT-së mund të ndihmojë në përmbushjen e standardeve, përdorimit të praktikave të mira, kritereve ndërkombëtare të kërkuara në fushën e sigurisë kibernetike dhe privatësisë. Ai tha se standardet janë mjetet më të mira të cilat ne mund t’i përdorim për një kualitet më të mirë të punës.

 

“Ne kemi misionin dhe vizionin tonë. Qëllimi është që të merremi me disa aktivitete, edukimin, shqyrtimin profesional, hulumtimin dhe zhvillimin, certifikimet e sistemeve sipas standardeve, certifikimet e individëve sipas standardeve dhe praktikave më të mira. Një temë mjaft e rëndësishme është procesimi i të dhënave, hulumtimeve, publikimi i atyre dhe promovimi i temave që lidhen me këtë fushë”, tha Hajrizi.

“Qendra për Siguri Kibernetike dhe Privatësi nuk ka synim që të jetë vetëm qendër e UBT-së. Ajo do të jetë një qendër nacionale, ku ndërlidhen palët e interesit”, theksoi më tej Hajrizi, duke shtuar se ajo do të shërbejë si një mundësi debati dhe pune të përbashkët për çështjet që mbulon fusha e sigurisë së informacionit.

Ai tha se janë një varg kompetencash nga kjo fushë, gjithsesi e re, shumë sfida të cilave duhet dhënë përgjigje, si në nivelin institucional ashtu edhe në nivelin shtetëror, si në nivelin akademik ashtu edhe në nivelin praktik të krijimit të kuadrit në këtë fushë, që është kuadër specifik. Ndaj, krijimi i kësaj qendre synon pikërisht këtë – përgjigjen ndaj sfidave në një fushë të re, por me shumë interes dhe me shumë rëndësi.

Z.Hajrizi paralajmëroi një punëtori nga 20-22 prill, ku do të trajtohen një varg temash me interes nga fusha e sigurisë kibernetike dhe privatësisë.

 

Ai theksoi se UBT ka të akredituar në studimet master programin Siguria e Informacionit dhe Privatësia, që është programi i parë i akredituar në këtë fushë jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë, si dhe shumë drejtime të tjera të studimit, si Shkencat kompjuterike, Sistemet e Informacionit. Nisur nga kjo, ekziston një bazë e mirë që të krijojmë disa kuadro në këtë fushë.

UBT ka edhe laboratorët në kuadër të Kampusit Inovativ të UBT-së, ku ka një grup të pajisjeve dhe një hapësirë shumë e mirë për hulumtime në këtë fushë, tha ndër të tjera rektori i UBT-së, gjatë prezantimit të Qendrës për Siguri Kibernetike dhe Privatësi, në punëtorinë e organizuar nga  Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.