UBT pret në vizitë zyrtare Kryetarin e FFK-së, Agim Ademi – fokus te edukimi dhe inovacioni në sport

05/08/2025

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, ka zhvilluar sot një vizitë zyrtare në UBT, ku është mirëpritur nga Presidenti dhe Themeluesi, Rektori, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, në ambientet e Parkut Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së në Lipjan.

Gjatë kësaj vizite, Ademi pati mundësinë të njihet nga afër me kapacitetet infrastrukturore, laboratorët e avancuar, si dhe projektet ndërdisiplinore që po zhvillohen në UBT.

Rektori Hajrizi dhe Kryetari Ademi diskutuan për mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet UBT-së dhe FFK-së, me qëllim të ndërlidhjes së teknologjisë, inovacionit dhe sportit në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm të të rinjve dhe shoqërisë në përgjithësi.

Gjatë vizitës së tij në UBT, Kryetari Ademi, vlerësoi rolin udhëheqës të këtij institucioni në fushën e arsimit, teknologjisë dhe inovacionit. Ai u shpreh i impresionuar nga projektet dhe potenciali që UBT ofron për zhvillimin e të rinjve dhe për krijimin e bashkëpunimeve konkrete ndërmjet sportit dhe edukimit.

“Sot pata kënaqësinë të vizitoj UBT-në në Prishtinë, një qendër jo vetëm e dijes dhe inovacionit, por që me të drejtë mund të quhet edhe një ‘smart city’ brenda kryeqytetit tonë. Ishte impresionuese të shihja nga afër një institucion që jo vetëm e ndjek hapin e zhvillimit teknologjik, por edhe kontribuon në të, me një program të sofistikuar që përfshin gjithçka – nga bazat deri te formimi i shkencëtarëve në profile të ndryshme”, u shpreh Ademi.

Rektori Hajrizi theksoi se përmes programeve bashkëkohore dhe investimeve në infrastrukturë moderne, UBT jo vetëm që udhëheq në fushën akademike, por gjithashtu kontribuon drejtpërdrejt në përgatitjen e sportistëve dhe trajnerëve të rinj, duke i dhënë vendit një bazë të fortë për afirmim në arenën ndërkombëtare.

“UBT është shndërruar në një qendër unike arsimore e inovative, ku talentet e reja jo vetëm edukohen, por edhe fuqizohen për të qenë kampionë në sport, shkencë dhe jetë. Kemi krijuar një ekosistem që i tejkalon kufijtë e edukimit tradicional – duke integruar teknologjinë, lidershipin dhe përgatitjen praktike me standarde ndërkombëtare, për të formuar gjenerata të gatshme të konkurrojnë në çdo arenë”, theksoi Rektori Hajrizi.

Vizita e Kryetarit të FFK-së në UBT hap perspektiva të reja për bashkëpunim në fusha të ndryshme si teknologjia sportive, edukimi i trajnerëve përmes platformave digjitale, organizimi i ngjarjeve të përbashkëta dhe mbështetja e inovacionit në sport.

UBT, si institucion lider në arsimin e lartë në rajon, vazhdon të dëshmojë se është një partner i besueshëm për bashkëpunime strategjike me institucionet vendore dhe ndërkombëtare.

Në këtë kontekst, UBT veçon edhe Fakultetin e Shkencave të Sportit dhe të Lëvizjes, përmes të cilit synon të kontribuojë në zhvillimin e sportit në vend duke nxjerrë kuadro të rinj profesionalë dhe talente të reja, të cilat do të mund të afirmohen në skenën ndërkombëtare përmes përgatitjes me standarde të larta dhe inspirimit nga kampionët botërorë.