
UBT, prapë i pari dhe më i miri për kërkime shkencore sipas National H-index Ranking për tremujorin e dytë të vitit 2025
12/05/2025UBT është ranguar si institucioni i parë dhe më i mirë i arsimit të lartë privat në Kosovë për kërkime shkencore, sipas Renditjes Kombëtare të H-indeksit (National H-index Ranking) për tremujorin e dytë të vitit 2025.
Përmes një strategjie të qartë institucionale dhe përkrahjes së fuqishme të stafit akademik e studentëve, UBT ka arritur të krijojë një ekosistem shkencor ku kërkimi dhe aplikimi i njohurive ndërthuren për të gjeneruar zgjidhje të reja dhe të qëndrueshme.
Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, ka thënë se kjo renditje tregon përkushtimin e UBT-së në promovimin e shkencës dhe kërkimit shkencor në vend dhe përtej tij.
“Kjo renditje në H-index është rezultat i punës së palodhshme të akademikëve tanë dhe përkushtimit për të qenë gjithnjë në hap me zhvillimet globale në fushën e kërkimit shkencor. Ne do të vazhdojmë të investojmë në projekte kërkimore, partneritete ndërkombëtare dhe zhvillimin e mëtejmë të kapaciteteve tona akademike”, theksoi Rektori Hajrizi.
UBT është një prej institucioneve më aktive në publikime shkencore me ndikim ndërkombëtar, në fusha si teknologjia, inxhinieria, shkencat mjekësore, arkitektura, menaxhimi, edukimi dhe shumë të tjera. Përmes pjesëmarrjes në projekte të mëdha evropiane dhe angazhimit të ekspertëve të njohur ndërkombëtarë, UBT po kontribuon në ngritjen e standardeve kërkimore në Kosovë.