UBT po ofron orientim në karrierë për të rinjtë nga mbarë Kosova

01/04/2019

Tash e disa javë, Qendra e Karrierës në UBT ka nisur programin për orientim në karrierë të maturantëve kosovarë, të cilët po rezultojnë të jenë të interesuar për të bërë zgjedhjen e profesioneve që më së shumti u përshtaten profileve dhe njohurive të tyre të fituara në vitet paraprake të shkollimit.

 

Gjatë këtyre javëve, pjesë të stafit dhe studentë të UBT-së kanë vizituar maturantë nëpër qytete të ndryshme të Kosovës, të cilëve u kanë dhënë të gjitha këshillat e nevojshme profesionale. Ndërkaq, qindra të rinj të tjerë kanë vizituar kampuset e UBT-së për të marrë më shumë informacione mbi profesionet që synojnë të zgjedhin.

 

Përmes aktiviteteve orientuese, UBT po u ndihmon të rinjve kosovarë, por edhe më gjerë, që të krijojnë konceptet e para mbi zgjedhjen e profesioneve të duhura për ta, por edhe që i përshtaten nevojave të tregut modern të punës, kërkesat e të cilit janë shumë specifike.

 

Orientimi në karrierë do të vazhdojë edhe javëve në vijim, me ç’rast UBT do të mundohet të jetë sa më afër studentëve, si dhe do të mirëpresë në UBT të gjithë të interesuarit për të marrë informacione shtesë.