
UBT pjesë e konferencës dhe ekspozitës ndërkombëtare kushtuar Karl von Gega-s dhe hekurudhës së Semmeringut
10/06/2025Më 12 qershor 2025, UBT do të marrë pjesë si bashkëorganizator në konferencën shkencore dhe ekspozitën me temën “Karl von Gega dhe Semmeringu – Një hekurudhë për të ndryshuar historinë”, një ngjarje e rëndësishme që i kushtohet një prej figurave më të shquara të inxhinierisë europiane të shekullit XIX.
Kjo ngjarje organizohet në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë dhe Musei Civici di Venezia, dhe synon të sjellë në vëmendje rolin kyç të Karl von Gega-s në projektimin dhe realizimin e linjës hekurudhore të Semmeringut, e cila përfaqëson një nga arritjet më të mëdha të inxhinierisë hekurudhore të kohës.
Konferenca do të zhvillohet në ambientet e Akademisë së Shkencave, në sallën “Aleks Buda”, duke filluar nga ora 09:30, dhe do të mbledhë studiues, historianë dhe ekspertë të inxhinierisë nga Shqipëria, Italia dhe vende të tjera të rajonit.
Në mbrëmje, në orën 19:30, në ambientet e Pallatit të Kongreseve, do të hapet ekspozita historike që sjell dokumente, skica inxhinierike dhe materiale arkivore të rralla, të cilat ndriçojnë punën dhe trashëgiminë teknike të Karl von Gega-s.
UBT është krenar të jetë pjesë e kësaj nisme ndërkombëtare që promovon shkencën, historinë dhe trashëgiminë teknologjike europiane.