
UBT pjesë e ekspozitës “Përpjekja e Artë – Rrugëtimi i Xhudos në Lartësimin e Kosovës” në Pejë
10/06/2025Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, dhe Dekani i Fakultetit të Shkencave të Sportit dhe Lëvizjes, Prof. Agron Thaqi, morën pjesë në hapjen solemne të ekspozitës madhështore “Përpjekja e Artë – Rrugëtimi i Xhudos në Lartësimin e Kosovës”, e organizuar në Galerinë e Arteve në Pejë nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, në bashkëpunim me Federatën e Xhudos së Kosovës.
Ekspozita sjell një përjetim unik të historisë së lavdishme të xhudos kosovare – nga hapat e parë në qytetin e Pejës, deri te triumfet historike në skenën olimpike. Ajo nderon figurat e jashtëzakonshme të sportit tonë kombëtar, si Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova, të cilat me përkushtim, sakrificë dhe pasion kanë ngritur lart emrin e Kosovës. Ato tani janë pjesë e UBT-së, duke qenë figura kyçe në zhvillimin e institucionit dhe në formimin e gjeneratave të reja përmes kontributit të tyre profesional dhe akademik në fushën e sportit dhe edukimit fizik
Gjatë kësaj ngjarjeje inspiruese, përfaqësuesit e UBT-së zhvilluan edhe një takim të rëndësishëm me mysafirë specialë nga Gjermania, përfshirë Kryetarin e qytetit të Potsdam-it, z. Mike Schubert, dhe përfaqësues të Shkollës Sportive Olimpike të Potsdam-it. Takimi shënoi fillimin e një bashkëpunimi të ri ndërkombëtar në fushën e sportit dhe edukimit fizik, duke hapur perspektiva të reja për studentët dhe profesionistët e rinj të kësaj fushe.
UBT vazhdon të jetë një faktor kyç në promovimin e sportit, kulturës dhe suksesit kombëtar, duke përkrahur nismat që e afirmojnë Kosovën në nivel global.