UBT përmbyll me sukses Akademinë për Ndërmarrësi dhe Inovacion

15/07/2025

Me aktivitete dinamike dhe përvoja unike, përfundoi me sukses Akademia për Ndërmarrësi dhe Inovacion në kuadër të Global UBT Fest 2025.

Punimet e Akademisë për Ndërmarrësi dhe Inovacion, e organizuar nga Fakulteti i Menaxhmentit, Biznesit dhe Ekonomisë në UBT, u përmbyllën me një sërë aktivitetesh frymëzuese që synuan të zhvillonin aftësitë ndërmarrëse të studentëve dhe pjesëmarrësve.

Në ditën e fundit të akademisë, u organizua një lojë interaktive me karakter praktik të quajtur “Micro Business Game”, e udhëhequr nga Prof. Dr. Ardian Uka dhe Prof. Dr. Mentor Shaqiri. Loja simulonte krijimin dhe menaxhimin e një biznesi të vogël, duke u dhënë pjesëmarrësve mundësinë të punojnë në ekipe për të zhvilluar ide biznesi, planifikuar burime, analizuar tregun dhe marrë vendime strategjike me ndikim financiar.

Aktiviteti u zhvillua në një ambient bashkëpunues dhe dinamik, duke nxitur mendimin kritik, kreativitetin, si dhe shkathtësitë menaxheriale dhe ndërmarrëse të pjesëmarrësve.

Në përmbyllje, pjesëmarrësit shprehën mirënjohje të thellë ndaj Fakultetit të Menaxhmentit, Biznesit dhe Ekonomisë, si dhe ndaj ligjëruesve të angazhuar përgjatë akademisë. Ata vlerësuan lart përfitimet dhe njohuritë e marra nga kjo përvojë praktike dhe edukative, duke e konsideruar akademinë si një ndër eksperiencat më të vlefshme për zhvillimin e tyre profesional dhe personal.