UBT përfaqësohet në Perugia në konventën ndërkombëtare për 20-vjetorin e certifikimeve CELI

16/12/2025

Në kuadër të forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe avancimit të standardeve të mësimdhënies së gjuhëve të huaja, Drejtori i Institutit të Gjuhëve të Huaja të UBT-së, Prof. Halil Bashota, po qëndron në një udhëtim zyrtar në Perugia të Italisë, ku po merr pjesë në konventën e organizuar me rastin e 20-vjetorit të Qendrës së Gjuhëve CVCL për Certifikimet e Gjuhës Italiane CELI, pranë Università per Stranieri di Perugia.

Kjo konventë ndërkombëtare ka bërë bashkë përfaqësues të institucioneve akademike, qendrave të certifikimit dhe ekspertë të fushës së gjuhës italiane nga vende të ndryshme, me qëllim reflektimin mbi zhvillimet, sfidat dhe perspektivat e ardhshme të certifikimeve gjuhësore CELI.

UBT gëzon statusin e qendrës së vetme të certifikimit CELI në rajon, duke u ofruar studentëve dhe kandidatëve mundësinë për të marrë certifikime të njohura ndërkombëtarisht për gjuhën italiane, të vlefshme për studime, punësim dhe mobilitet akademik në Itali dhe më gjerë.

Gjatë qëndrimit në Perugia, Prof. Bashota po zhvillon takime dhe diskutime me përfaqësues të CVCL-së dhe institucioneve partnere, duke shkëmbyer përvoja dhe praktika të mira lidhur me organizimin e provimeve CELI, zhvillimin e programeve mësimore dhe avancimin e cilësisë së mësimdhënies së gjuhës italiane.

Pjesëmarrja në këtë konventë përforcon më tej angazhimin e UBT-së për ndërkombëtarizim, rritje të cilësisë akademike dhe zgjerim të mundësive për studentët dhe komunitetin akademik, duke e konsoliduar institucionin si një nga aktorët kryesorë në fushën e arsimit dhe certifikimeve gjuhësore në rajon.