UBT për nder të 20 vjetorit ndanë 20 lloje të bursave për studentët e rinj

09/07/2021

Në nderim të 20-vjetorit të themelimit të UBT-së, me vendim të rektorit të UBT-së, prof.dr Edmond Hajrizi, institucioni më i madh i arsimit të lartë në vend – UBT, ka vendosur të ndajë 20 lloje të bursave me të vetmin qëllim, përkrahjen dhe motivimin e të rinjve në ngritjen e tyre profesionale.

 

Në këtë mënyrë, UBT kontribuon duke ndihmuar dhe lehtësuar edhe barrën që rëndon familjet kosovare për shkollim të fëmijëve të tyre, duke bërë kështu më të lehtë dhe më motivues studimin për të gjithë ata që synojnë që ngritjen e tyre profesionale t’ia besojnë UBT-së, kështu duke i siguruar atyre përkrahje të vazhdueshme në rrugëtimin e tyre profesional.

 

UBT çdo vit shpërblen me bursa studimi studentët e dalluar, të cilët gjatë një viti akademik kanë arritur minimumi notën mesatare 9.0, përderisa UBT ka ndarë bursa edhe për studentët që i takojnë kategorive të parapara me rregulloren e institucionit.

 

Përmes praktikave më të mira dhe më moderne, UBT po krijon kuadrot më profesionale të vendit, dhe gjithsesi që në tërë këtë rrugëtim studentët e UBT-së nuk kanë qenë dhe nuk janë të vetëm, kjo sepse UBT u ka kursyer familjeve kosovare rreth 1 milion e 400 mijë euro përmes ofrimit të bursave për fëmijët e tyre dhe për studentët e Kosovës.

 

Përveç bursave, UBT ka ndihmuar qindra studentë që të pranohen dhe të vijojnë studimet nëpër universitet më prestigjioze ndërkombëtare, prej ku po kthehen me kompetenca të larta dhe me dëshirë të madhe për të dhënë kontribut për Kosovën.

 

Ndaj, në tërë këtë proces akademik, pa asnjë mëdyshje mund të themi se UBT është familja më e madhe akademike që të rinjve kosovarë u ka ofruar mbështjetje në secilin hap të rrugëtimit të tyre, duke iu ofruar të gjitha kushtet e nevojshme për studime cilësore akademike.