
UBT organizon Panairin e Karrierës dhe Inovacionit 2025
25/10/2025Në ambientet e UBT-së po mbahet Panairi i Karrierës dhe Inovacionit 2025, një ngjarje e rëndësishme që synon të lidhë studentët, bizneset dhe profesionistët nga fusha të ndryshme të inovacionit, teknologjisë dhe zhvillimit profesional.
Në këtë panair po marrin pjesë mbi 30 kompani vendore dhe ndërkombëtare, të cilat po prezantojnë produktet, shërbimet dhe mundësitë e tyre të bashkëpunimit me studentë dhe profesionistë të rinj.
Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, theksoi rëndësinë e këtij aktiviteti si një hap konkret drejt lidhjes së edukimit me tregun e punës:
“Ky panair është dëshmi e qasjes sonë praktike ndaj arsimit dhe inovacionit. Ne duam që studentët tanë të jenë të përgatitur për tregun e punës, të kenë kontakt të drejtpërdrejtë me kompanitë dhe të krijojnë bashkëpunime që nxisin zhvillimin profesional dhe ekonomik” u shpreh rektori Hajrizi.
Ai shtoi se UBT vazhdimisht po investon në krijimin e platformave ku studentët mund të shfaqin talentin, idetë dhe projektet e tyre përpara bizneseve dhe institucioneve partnere.
Ky aktivitet është një mundësi për rrjetëzim profesional, bashkëpunime të reja dhe ndërveprim të drejtpërdrejtë mes bizneseve, studentëve dhe profesionistëve të fushave të ndryshme.
