UBT organizon ligjëratë praktike me ekspertin e industrisë së qumështit EUROLONA
27/11/2026Në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm me industrinë ushqimore, në Kampusin Inovativ të UBT-së, u organizua një ligjëratë profesionale për studentët e programit Teknologji Ushqimore me Bioteknologji, e mbajtur nga përfaqësuesi i kompanisë së industrisë së qumështit EUROLONA, teknologu Blerton Kalanderi.
Gjatë ligjëratës, eksperti prezantoi në mënyrë të detajuar procesin e punës në industrinë e qumështit EUROLONA, duke filluar nga përzgjedhja dhe pranimi i lëndës së parë, protokollet e pranimit, analizat laboratorike, deri te proceset e prodhimit dhe prezantimi i produkteve të ndryshme, si jogurti, ajrani, kosi, gjiza, djathërat dhe qumështi.
Gjithashtu, studentët u informuan për protokollet e prodhimit të këtyre produkteve, zbatimin e parimeve të HACCP-it, proceset e pastrimit dhe dezinfektimit (DDD), sistemet CIP dhe COP, si dhe mënyrat e trajtimit të mbetjeve në industrinë e qumështit.
Ligjërata u zhvillua në formë interaktive, duke u mundësuar studentëve të parashtrojnë pyetje, të diskutojnë me ekspertin dhe të njihen nga afër me sfidat dhe praktikat konkrete të industrisë ushqimore.
Në fund, UBT shprehu mirënjohjen për kompaninë EUROLONA, me pronar z. Milazim Berisha, për bashkëpunimin dhe mundësitë e vazhdueshme që u ofron studentëve të UBT-së përmes ligjëratave profesionale, vizitave studimore, praktikave profesionale dhe mbështetjes së hulumtimeve shkencore dhe temave të diplomës.
Ky bashkëpunim dëshmon rëndësinë e ndërlidhjes së arsimit me industrinë, duke u ofruar studentëve njohuri praktike dhe përvojë profesionale që kontribuojnë në përgatitjen e tyre për tregun e punës.

