
UBT organizon Akademi Përkujtimore në nder të Prof. Dr. Mufail Salihaj
06/05/2025UBT organizoi një Akademi Përkujtimore për të nderuar jetën dhe veprën e Prof. Dr. Mufail Salihaj – profesor i shquar, studiues i palodhur dhe intelektual i devotshëm, i cili për dekada me radhë dha një kontribut të jashtëzakonshëm në arsimin e lartë në Kosovë dhe në formimin e shumë brezave të studentëve.
Kjo ngjarje përkujtimore u zhvillua në nderim të një figure të botës akademike shqiptare, i cili me urtësinë, dijen dhe përkushtimin e tij, la gjurmë të pashlyeshme në mendjet dhe zemrat e të gjithëve që patën fatin ta njihnin dhe të punonin me të.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, shprehu dhimbjen për ndarjen nga jeta të profesorit Salihaj, duke theksuar rolin e tij thelbësor në ngritjen e cilësisë së arsimit dhe promovimin e vlerave akademike:
“Me dhimbje të thellë jemi mbledhur sot për të nderuar kujtimin dhe jetën e një njeriu të rrallë, një profesori, studiuesi dhe intelektuali të shquar – Prof. Dr. Mufail Salihaj. Lajmi për ndarjen e tij të parakohshme nga jeta ka lënë një boshllëk të madh në zemrat tona dhe një mungesë të pashlyeshme në botën akademike të vendit tonë. Ai ishte një njeri i ditur, i urtë, i përkushtuar dhe mbi të gjitha – një njeri i madh në shpirt dhe zemër. Humbja e tij është një humbje për të gjithë ne, por gjithashtu një mundësi për të reflektuar mbi vlerat që ai përfaqësonte dhe për të vazhduar rrugën e dijes që ai na la trashëgim”.
Në këtë akademi morën pjesë anëtarë të stafit akademik, studentë, miq, familjarë dhe bashkëpunëtorë të profesorit, të cilët ndanë kujtime dhe vlerësime për figurën e tij si njeri, pedagog dhe studiues.
I pranishëm në këtë ngjarje ishte edhe Kryetari i Komunës së Shtimes, Dr. Qemajl Aliu, i cili ndau me të pranishmit vlerësimin dhe mirënjohjen e tij për figurën dhe veprën e Prof. Dr. Mufail Salihaj:
“Profesori Mufaili jetoi me modestinë e njeriut të ditur dhe veproi me bindjen e palëkundur se shoqëria përparon kur ne, të gjithë bashkë, japim më të mirën prej vetes. Ai mbolli dijen me dashuri dhe nga dora e tij kanë dalë breza të tërë studentësh, të cilët sot mbajnë përgjegjësi të rëndësishme në fusha të ndryshme të jetës sonë intelektuale dhe kombëtare. Edhe përtej figurës publike, Prof. Mufaili ishte njeri i jashtëzakonshëm, para së gjithash në rrafshin njerëzor: i dashur, i dhembshur, gjithmonë i gatshëm të dëgjonte, të kuptonte, të ndihmonte secilin, i papërtuar dhe i vendosur”.
Prof. Dr. Mufail Salihaj do të kujtohet si një njeri i dijes, urtësisë dhe përkushtimit të pashembullt, që i dha shumë Kosovës në rrugëtimin e saj arsimor dhe intelektual.