UBT nikoqir i panairit të STIKK-ut

26/05/2011

Prishtinë, 26 prill 2011 –  Në kuadër të bashkëpunimit të Shoqatës për Teknologji të Informacionit dhe të Komunikimit të Kosovës (STIKK) me institucionet edukativo-arsimore, e me qëllim të zbutjes së papunësisë në Kosovë, gjatë këtyre ditëve STIKK organizoi panairin e parë të punës dhe sot ishte prezent edhe  në ambientet e UBT.

 

Në ceremoninë e hapjes së panairit në fjalë ishin  prezent përfaqësues të institucione të ndryshme të vendit,  studentë, akademikë etj.

Panairi i organizua nga STIKK  dhe  synimin kryesor e kishte të prezantojë para studentëve  dhe të interesuarve  të tjerë mundësitë e punësimit në disa prej kompanive të sektorit të TI-së në Kosovë.

“Qëllimi i panairit është që të promovojë dhe menaxhojë kërkesën e të gjitha palëve të interesit për vlerën më të madhe të çdo kompanie, njeriun dhe punëtorin” është shprehur znj. Vjollca Çavolli, Drejtoresha e STIKK në lidhje me panairin e punës dhe rëndësinë e tij.

 

Në kuadër të panairit të punës u prezantuan këto kompani si:  RROTA,  ASSECO,  Cacttus,  EKONET, Frakton, ITBM Group, ITEG, Logistics Plus, etj.

Pasi vetëm UBT njihet në vend dhe më gjerë  për cilësinë dhe zhvillimin e Fakultetit të Mekatronikës, program i vetmi në vend dhe rajon, gjithashtu edhe për Fakultetin  e Shkencave Kompjuterike, nuk mungoi as  pjesëmarrja e studentëve të këtyre drejtimeve studimore.

 

Anesa Ramaxhiu,  studente në UBT dhe  pjesëmarrëse në panair tha: ”Të gjitha kompanitë prezente ishin të nivelit të lartë,  por unë personalisht dhe disa kolegë të mi aplikuam për punësim në kompaninë ”Asseco”dhe “ITTEG” nga e cila mora informacione të hollësishme dhe të mjaftueshme dhe në bazë të bisedave që zhvilluam me përfaqësuesin e kompanisë në fjalë  ofronin mundësi të ndryshme të punësimit”, tha A. Ramaxhiu. Po ashtu edhe Lirigzona Morina studente në UBT shfaqi interesim në kompaninë “EKONET” dhe në “Frakton” , kurse Nasuf Isufi në kompaninë “Cacttus”.

 

Përfaqësuesit e kompanisë pjesëmarrëse para të interesuarve prezantuan një lloj ligjëratë,   dhe më shumë u fokusuan të  produktet  që ofrohen tek klienti, shtrirjen, historiatin.

 

 Disa informacione më të hollësishme reth STIKK-ut

 

STIKK është shoqatë e bizneseve të teknologjisë së informacionit dhe të komunikimit, e themeluar në vitin 2006 në kuadër të Odës Ekonomike të Kosovës. Në nëntor të vitit 2008 është riaktivizuar duke i falënderuar iniciativës së 6 kompanive themeluese  dhe mbështetjes së Qeverisë Holandeze përmes Crimson Capital dhe Shoqatës së TIK të Norvegjisë.

Aktualisht, shoqata numëron 69 anëtare, të cilët përfaqësojnë rreth 85% të sektorit të gjithëmbarshëm të TIK në Kosovë.