UBT nënshkruan marrëveshje me kompaninë Ditron Dental

17/04/2025

Në kuadër të pjesëmarrjes në panairin më të madh në Evropë të stomatologjisë dhe teknologjisë dentare IDS 2025, UBT zgjeroi partneritetet e tij strategjike duke nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Ditron Dental, një prej kompanive më inovative në fushën e komponentëve për restaurime dentare me bazë implanti.

Marrëveshja u nënshkrua nga Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, dhe Presidenti i kompanisë Ditron Dental, Eyal Baruch, dhe përmes kësaj, UBT do të ofrojë këtë teknologji inovative te klinikat dentare në Kosovë.

Ky bashkëpunim hap rrugën për projekte të përbashkëta kërkimore-shkencore, shkëmbim ekspertize, trajnime për studentët dhe profesorët e Fakultetit të Stomatologjisë, si dhe integrimin e teknologjive të Ditron Dental në laboratorët dhe klinikat moderne të UBT-së.

“Kjo marrëveshje me Ditron Dental është një hap konkret drejt integrimit të teknologjisë më të lartë botërore në arsimin dhe praktikën dentare në Kosovë. Synimi ynë është të fuqizojmë kapacitetet vendore, cilësitë botërore në Kosovë, që shëndeti dhe mjekësia dentare të jetë sa më e kompletuar”, deklaroi Rektori Hajrizi.

Falë kësaj marrëveshjeje, profesionistët nga Kosova do të kenë mundësi të qasen në teknologjitë më të fundit si implantet dentare të sofistikuara, sistemet digjitale të trajtimit, skanimi 3D dhe aplikimet e inteligjencës artificiale në stomatologji.