UBT nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me North South University të Bangladeshit, për thellimin e shkëmbimit akademik dhe kërkimit shkencor ndërkombëtar

12/07/2025

Në një hap tjetër drejt zgjerimit të ndikimit të tij global, UBT ka lidhur një partneritet strategjik me North South University (NSU) – universitetin më prestigjioz në Bangladesh, duke krijuar kështu një urë të re bashkëpunimi akademik midis Kosovës dhe Azisë Jugore.

Kjo marrëveshje bashkëpunimi vendos bazat për një partneritet të qëndrueshëm në fushën e arsimit dhe kërkimit shkencor, duke synuar të forcojë lidhjet akademike mes dy universiteteve dhe të krijojë mundësi konkrete për zhvillim të përbashkët.

Marrëveshja përfshin një gamë të gjerë aktivitetesh bashkëpunimi, si:

  • Zhvillimi i hulumtimeve të përbashkëta shkencore në fusha me interes të ndërsjellë;
  • Shkëmbimi i stafit akademik, studiuesve dhe studentëve në nivelin universitar dhe pasuniversitar;
  • Pjesëmarrje e përbashkët në konferenca, seminare dhe simpoziume ndërkombëtare;
  • Mentorimi i përbashkët i studentëve të doktoratës dhe projekteve kërkimore të avancuara;
  • Publikime të përbashkëta akademike dhe shkencore;
  • Shkëmbim të materialeve mësimore dhe informacionit shkencor, si dhe
  • Mundësinë për zhvillim të programeve të përbashkëta studimore ndërkombëtare në të ardhmen.

Përmes kësaj marrëveshjeje, të dy institucionet zotohen të bashkëpunojnë në përputhje me ligjet dhe rregulloret e vendeve përkatëse, duke ndërtuar një model bashkëpunimi të bazuar në reciprocitet dhe barazi.

Ky partneritet vjen si pjesë e një strategjie më të gjerë të UBT-së për zgjerimin e bashkëpunimeve me universitete të njohura ndërkombëtare, duke ndjekur suksese të mëparshme si marrëveshja e nënshkruar me University of Thessaly në Greqi. Këto iniciativa i ofrojnë studentëve dhe stafit akademik të UBT-së qasje në rrjete globale, rritje të kapaciteteve kërkimore dhe mundësi të reja për zhvillim profesional dhe akademik.

Përmes këtyre marrëveshjeve, UBT afirmon rolin e tij si lider në arsimin e lartë në rajon dhe një partner serioz në bashkëpunimet akademike ndërkombëtare.