
UBT nënshkruan Deklaratën “Brighton Plus Helsinki” për fuqizimin e rolit të gruas në sport
03/11/2025Me qëllim të promovimit dhe fuqizimit të rolit të gruas brenda dhe jashtë fushës sportive, UBT ka nënshkruar Deklaratën ndërkombëtare “Brighton Plus Helsinki”, një dokument i rëndësishëm që synon të avancojë barazinë gjinore në sport dhe të sigurojë përfshirjen e plotë të grave dhe vajzave në të gjitha nivelet e veprimtarisë sportive.

Kjo deklaratë, e iniciuar nga IWG Women and Sport, ka për qëllim krijimin e një kulture të qëndrueshme sportive që vlerëson, fuqizon dhe inkurajon kontributin e grave dhe vajzave në të gjitha aspektet e sportit dhe aktivitetit fizik.
Nënshkrimi i kësaj deklarate nga UBT shënon një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit të politikave gjithëpërfshirëse dhe krijimit të mundësive të barabarta për vajzat dhe gratë, si në pjesëmarrje, ashtu edhe në ndërtimin e karrierës profesionale. Me këtë veprim, UBT riafirmon përkushtimin për një sistem edukativ dhe sportiv të drejtë, të barabartë dhe motivues, ku talenti dhe pasioni i çdo të reje vlerësohen pa dallim gjinie.
Në këtë ngjarje, Annamarie Phelps, kryetare e Sekretariatit të Mbretërisë së Bashkuar dhe bashkëkryesuese e Komitetit Ekzekutiv Global të “IWG Women and Sport”, vlerësoi rolin e grave të suksesshme në sportin kosovar dhe theksoi se është koha që institucionet të garantojnë hapësirën e merituar për to. Ajo tha se për shumë kohë sporti ka qenë “një derë e mbyllur” për gratë, por sot po fillon një epokë e re e barazisë dhe përfshirjes, ku gratë janë pjesë thelbësore e zhvillimit sportiv global.
UBT, si institucion lider në arsim, inovacion dhe zhvillim shoqëror, mbetet i përkushtuar në mbështetjen e iniciativave që promovojnë zhvillimin e sportit, barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave si faktorë aktivë të ndryshimit pozitiv në shoqëri.
Kjo ceremoni e nënshkrimit u organizua nga Komiteti Olimpik i Kosovës.
