UBT nderohet me çmimin “Best Innovative Education 2021” nga Annual Balkan Business Awards në Sofje të Bullgarisë

29/04/2021

UBT ka arritur një sukses tjetër jashtëzakonisht të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare. Si institucion lider në rajon për teknologji dhe inovacion, UBT është nderuar me çmimin “Best Innovative Education 2021” nga Annual Balkan Business Awards, në Sofje, për arritjet e pakrahasueshme në ofrimin e teknologjisë së re në edukimin CLASROOM 3.0 dhe për Smart University 4.0.

 

Çmimi i është dorëzuar rektorit të UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi, nga kryetarja e Komunës së Lovech, Kornelia Marinova, në një ceremoni solemne të mbajtur në Presidium Palace Hotel, me pjesëmarrje të personaliteteve të shumta, përfshirë edhe të ngarkuarin me punë në Ambasadën e Kosovës në Bullgari, ambasadorin Delfin Pllana.

 

Rektori Hajrizi ka thënë se kjo është një arritje e madhe për UBT-në dhe Kosovën, duke shtuar se UBT do të vazhdojë të kontribuojë në zhvillimin e shkencës, inovacionit dhe teknologjisë në Kosovë dhe rajon.

 

“Ky çmim është një arritje e çmuar për UBT-në, për përkushtimin e këtij institucioni në fushën e inovacionit dhe teknologjisë dhe vjen pas disa çmimeve tjera të rëndësishme që UBT ka marrë për arritje kulminante në disa prej kryeqendrave botërore”, u shpreh rektori Hajrizi.

 

Rektori Hajrizi, përgjatë qëndrimit në Bullgari, nën shoqërimin e ambasadorit Delfin Pllana, në Bullgari, zhvilloi një takim zyrtar me Kryetaren e Komunës së Lovech, Kornelia Marinova, e cila shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar me UBT-në, drejt zhvillimit në fushën e inovacionit.

 

 

Ky event organizohet për t’i nderuar të gjitha ato biznese të Ballkanit që edhe në kohë krize, arritën të kenë sukses në zhvillimin e qëndrueshëm dhe sigurimin e standardeve evropiane.