UBT sjell në Tiranë trashëgiminë evropiane të Karl Gegës në bashkëpunim me partnerë prestigjiozë

12/06/2025

UBT, në bashkëpunim me Fondacionin Musei Civici di Venezia dhe Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, ka organizuar një ngjarje të veçantë që përmbledh historinë dhe ndikimin e madh të Inxhinierit vizionar, Karl Gega. Konferenca Shkencore dhe Ekspozita, e titulluar “Një hekurudhë për të ndryshuar historinë”, u dedikuan Inxhinierit vizionar që ndikoi thellësisht në Evropën e shekullit XIX.

Konferenca është mbajtur në ambientet e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe ka bërë bashkë personalitete të shquara nga fusha e shkencës, arsimit dhe kulturës.

Pjesëmarrësit përfshinë figura të njohura si Rektori dhe Presidenti i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, Kryetarin e Seksionit të Shkencave Shoqërore Albanologjike pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akad. asoc. Gëzim Hoxha, si dhe përfaqësuesen e Fondacionit Musei Civici di Venezia, Monica Viero.

Gjithashtu, ngjarja ka pasur një prani të spikatur nga institucione të tjera, si dhe nga pjesëmarrës nga Kosova, Shqipëria dhe Italia, duke theksuar rëndësinë ndërkombëtare të kësaj ngjarje.

Në fokus të diskutimeve kanë qenë tema të ndryshme të lidhura me trashëgiminë e familjes së Karl Gegës, një figurë kyçe në zhvillimin e infrastrukturës dhe të historisë inxhinierike të Evropës, si dhe aspekte të tjera të rëndësishme që lidhen me ndikimin e tij në zhvillimet teknologjike të kohës. Diskutimet kanë përfshirë gjithashtu aspekte të kulturës, teknologjisë dhe ndikimit të zgjerimit të hekurudhës në lidhjen e kulturave dhe vendeve të ndryshme të Europës.

Në fjalën e tij, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, theksoi rëndësinë e bashkëpunimeve ndërkombëtare dhe të lidhjes mes institucioneve shkencore dhe kulturore për zhvillimin e mëtejshëm të dijes. Ai nënvizoi se, ngjarje të tilla nuk janë vetëm mundësi për të nxjerrë në pah trashëgiminë e vizionarëve të shquar si Karl Gegë, por gjithashtu ofrojnë mundësi për të reflektuar mbi ndikimin që kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë përparimet teknologjike dhe inxhinierike në shoqërinë moderne.

Pjesëmarrësit janë angazhuar gjithashtu në një diskutim të thellë rreth trashëgimisë kulturore dhe historike të Karl Gegës dhe ndikimit të tij në ndërtimin e infrastrukturave hekurudhore që kanë lidhur qytete dhe shtete të ndryshme në Europë.

Nga 12 qershori, do të jetë e hapur gjithashtu ekspozita për Karl Gegën, në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, dhe organizohet nga UBT dhe Fondacioni Musei Civici di Venezia. E njëjta ekspozitë do të vjen edhe në Kosovë, në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së në korrik.