UBT me bibliotekën më të madhe në vend, mbi 300 mijë libra fizikë dhe elektronikë

12/02/2026

UBT posedon bibliotekën më të madhe në vend, me mbi 300 mijë libra, duke përfshirë mbi 250 mijë libra fizikë dhe mbi 60 mijë tituj elektronikë, që u mundësojnë studentëve dhe stafit të sigurojnë literaturën esenciale për të gjitha fushat e studimit dhe hulumtimit shkencor.

Me qëllim të avancimit të qasjes në dije dhe teknologji, UBT ka krijuar kushte moderne për qasje digjitale në e-libra (libra elektronikë), duke ofruar mundësinë që studentët dhe stafi të kenë qasje të drejtpërdrejtë në qindra libra, artikuj shkencorë dhe akademikë, në çdo kohë dhe nga çdo vend.

Në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së funksionon një hapësirë moderne, gjigante dhe kreative, e ndërtuar sipas standardeve më të larta ndërkombëtare, e cila ofron ambient ideal për lexim, studim dhe hulumtim shkencor. Kjo hapësirë unike garanton komoditet maksimal, qetësi dhe kushte bashkëkohore pune për studentët dhe stafin akademik.

Përveç bibliotekës qendrore në Lipjan, UBT posedon edhe biblioteka në kampuset e tjera nëpër Kosovë, duke siguruar qasje të barabartë në literaturë dhe burime akademike për të gjithë studentët.

Titujt janë të disponueshëm kryesisht në gjuhën shqipe dhe angleze, si dhe një përqindje në gjuhën gjermane dhe serbe, duke e bërë bibliotekën të qasshme për një audiencë të gjerë.

UBT vazhdon të investojë në platformat më të reja digjitale për të garantuar një përvojë moderne dhe efikase të studimit. Përveç integrimit të Realitetit Virtual (VR) dhe klasave inteligjente CLASSROOM 3.0, biblioteka elektronike është e ndërlidhur me sisteme të avancuara të menaxhimit digjital të literaturës dhe platforma interaktive për kërkim shkencor.

Studentët dhe stafi kanë qasje në databaza ndërkombëtare si EBSCO, SAGE Journals dhe JSTOR, si dhe në platforma bashkëkohore për publikime akademike, analiza shkencore dhe menaxhim referencash. Integrimi i teknologjive cloud dhe sistemeve të kërkimit inteligjent mundëson gjetjen e shpejtë dhe efikase të literaturës së nevojshme.

Për të gjithë dashamirët e librit, dijes dhe shkencës, Biblioteka e UBT-së është vendi ideal ku tradita e librit ndërthuret me inovacionin teknologjik, një hapësirë ku mund të lexoni, studioni dhe eksploroni botën e pafundme të dijes.