UBT mbështet Institutin për Krimet e Luftës me teknologji dhe ekspertizë për digjitalizimin e arkivës

06/03/2026

Në ditët e Epopesë së UÇK-së, një nga ngjarjet më domethënëse të historisë së vendit, UBT dhe Instituti i Hulumtimit të Krimeve të Kryera gjatë Luftës (IKKL) kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi që synon forcimin e kapaciteteve institucionale dhe ruajtjen e kujtesës historike përmes teknologjisë moderne.

Marrëveshja u nënshkrua gjatë një takimi mes Rektorit të UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi dhe Drejtorit Ekzekutiv të IKKL-së, Dr. Atdhe Hetemi, ku u diskutua për rëndësinë e inicimit të procesit të digjitalizimit të arkivave të Institutit, në përputhje me zhvillimet më të fundit teknologjike.

Në fokus të këtij bashkëpunimi është pikërisht digjitalizimi i materialeve arkivore që dokumentojnë krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, duke synuar ruajtjen afatgjatë të tyre, menaxhimin më efikas dhe krijimin e mundësive më të mëdha për hulumtim shkencor dhe institucional.

Sipas marrëveshjes, palët do të bashkëpunojnë në një gamë të gjerë aktivitetesh dhe iniciativash me interes të përbashkët. Këto përfshijnë planifikimin e programeve edukative që trajtojnë historinë dhe pasojat e krimeve të luftës në Kosovë, mbështetjen profesionale në procesin e digjitalizimit dhe aplikimin e programeve specifike për nevojat hulumtuese dhe dokumentuese të Institutit.

Gjithashtu, marrëveshja parashikon ndarjen e burimeve akademike dhe ekspertizës së stafit dhe studentëve të UBT-së, duke përfshirë qasjen në biblioteka dhe arkiva për projekte kërkimore që lidhen me dokumentimin e krimeve të luftës dhe ndikimin e tyre në shoqëri.

Ky proces pritet të përfshijë përdorimin e platformave dhe programeve të avancuara teknologjike për përpunimin, katalogimin dhe arkivimin digjital të dokumenteve, dëshmive dhe materialeve të tjera me rëndësi historike.