UBT mbështet industrinë ushqimore përmes trajnimeve praktike dhe bashkëpunimeve strategjike

02/05/2025

Në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet Fakultetit të Shkencave të Ushqimit në UBT dhe industrisë ushqimore në Kosovë, janë realizuar me sukses dy trajnime profesionale për stafin e kompanisë “Sach Pizza Corporation”, e cila operon në 18 lokacione në Kosovë dhe është zgjeruar edhe në Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut.

Trajnimi i parë, i udhëhequr nga Prof. Asoc. Dr. Mergim Mestani, u fokusua në temën: “Faktorët që ndikojnë në Sigurinë Ushqimore: Higjiena/Sanitaria, Siguria në Punë dhe Kujdesi ndaj Mjedisit”.

Ky trajnim trajtoi çështje kyçe si:

  • Higjiena personale dhe ambientale në industrinë ushqimore;
  • Parandalimi i kontaminimeve mikrobiologjike, kimike dhe fizike;
  • Identifikimi i rreziqeve në vendin e punës dhe masat parandaluese;
  • Menaxhimi i mbetjeve ushqimore dhe ndikimi në mjedis;
  • Edukimi i vazhdueshëm i punonjësve për mbajtjen e standardeve të sigurisë.

Pjesëmarrësit u angazhuan në diskutime praktike dhe morën materiale vizuale dhe video edukative që ndihmuan në thellimin e njohurive të fituara.

Trajnimi i dytë, i udhëhequr nga Prof. Asoc. Dr. Medin Zeqiri, u përqendrua në temat:

  • “Pritja dhe Komunikimi me Klientët në Pikat e Shitjes”
  • “Prezantimi Vizual i Ushqimeve për Konsumatorët”

Ky trajnim synoi rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj klientit përmes zhvillimit të aftësive të komunikimit dhe prezantimit profesional, si dhe përmirësimin e përvojës së konsumatorit në pikat e shitjes.

Ky bashkëpunim konkret ndërmjet UBT-së dhe kompanisë Sach Pizza reflekton angazhimin e institucionit për të ofruar arsim praktik, të lidhur ngushtë me tregun e punës. Studentët e Fakultetit të Shkencave të Ushqimit në UBT përfitojnë nga vizitat studimore dhe praktikat profesionale në këtë kompani, ndërsa disa prej tyre tashmë janë të punësuar në sektorin ushqimor.