UBT-ja mbajti tryezë për sfidat e arsimit të lartë në Kosovë

08/07/2016

Instituti për Zhvillim të Arsimit dhe Çështjeve Akademike (IDEAA), në kuadër të Akademisë Verore të UBT-së, organizoi tryezën e diskutimit me temën “Sfidat e arsimit të lartë dhe kërkimit në kohën e diversitetit të institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë – eliminimi i barrierave të bashkëpunimit”.


Tryeza u mbajt në Kampusin e UBT-së, e cila mblodhi përfaqësues të institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë, të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), partnerëve zhvillimorë në arismin e lartë, përfshirë USAID, World Leanring, Erasmus +, ekspertë të arsimit të lartë, si dhe profesorë e hulumtues, të cilët patën mundësinë të diskutojnë për sfidat aktuale dhe të ardhshme që kalon arismi i lartë dhe hulumtimi shkencor.


Drejtori i Institutit IDEAA, Bujar Gallopeni, paraqiti qëllimin e mbajtjes së kësaj tryeze, duke potencuar nevojën për bashkëpunim ndërmjet institucioneve të arsimit të lartë dhe aktorëve të tjerë në Kosovë krahas konkurrencës vendore dhe rajonale, si dhe sfidat për të tejkaluar barrierat e bashkëpunimit dhe kontributit në fushën e arsimit të lartë, me theks të veçantë në qasjen e projekteve ndërkombëtare dhe programeve studimore. 


Ndërkaq, Rektori i UBT-së, prof. Edmond Hajrizi, theksoi nevojën e rritjes së komunikimit dhe diskutimit drejt përpjekjeve të përbashkëta të zhvillimit të arsimit të lartë, duke ofruar transparencë, cilësi dhe ekselencë, në drejtim të përmbushjes së kërkesave të shoqërisë dhe vendit në sfera të ndryshme ekonomike, sociale etj.


Drejtoresha e Departamentit të Arsimit të Lartë nw MASHT, znj. Drita Kadriu, paraqiti kornizën ligjore dhe strategjike të MASHT për avancimin e reformës cilësore të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor në periudhën e ardhshme pesëvjeçare, me theks të veçantë në zhvillimin akademik, menaxhimin e institucioneve të arsimit të lartë, format e financimit të tyre, dhe dimensionin e bashkëpunimit ndërkombëtar.


Forumi i diskutimit involvoi përfaqësues të tjerë prezentë nga institucionet e arsimit të lartë, respektivisht nga Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini”, Universiteti i Gjakovës “Fehmi Agani”, Universiteti i Gjilanit “Kadri Zeka”, Kolegji Ndërkombëtar i Biznesit në Mitrovicë (IBCM), Kolegji Universi, Kolegji Humanistika, si dhe përfaqësuesit e partnerëve zhvillimorë dhe donatorëve (USAID, World Leanring, Erasmus +), të cilët potencuan nevojën për eliminim të barrierave të bashkëpunimit dhe qasjet e përbashkëta në sfidat aktuale në drejtim të ofrimit të studimeve post-diplomike, posaçërisht studimeve të doktoratës si parakusht i zhvillimit të kuadrit akademik, programeve të përbashkëta studimore, projekteve të përbashkëta, etj. Me theks të veçantë pjesëmarrësit potencuan nevojën për të qenë më të involvuar në proceset e zhvillimeve legjislative dhe strategjike të arsimit të lartë dhe kërkimit, si dhe mbështetjen shtetërore në shumë procese të zhvillimeve institucionale, akademike dhe hulumtuese.


 

Në këtë tryezë diskutimi pjesëmarrësit nxorën konkluzione që të vazhdohet me forumet e diskutimeve të ngjashme edhe në të ardhmen, posaçërisht në fusha kyçe tematike të cilat drejtpërsëdrejti ndikojnë në avancimin e punës akademike dhe kërkimore në vend. Instituti IDEAA si promotor i forumeve akademike, do të vazhdojë në të ardhmen të mbajë këtë agjendë diskutimi, duke involvuar aktorët kyç të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor.